Si “Letër e gjatë mikut”, Gazmend Leka sjell ekspozitën “Taso”

Piktori Gazmend Leka ka hapur në galerinë e artit FAB ekspozitën personale me 21 tablo pikture “Taso”. Një ekspozitë që sipas tij, ngjan si një letër e gjatë, që ia dërgon mikut të tij, piktorit të njohur Anastas Kostandini.

“E titullova ekspozitën personale me emrin “Taso”, sepse unë ia kushtoj një mikut tim piktor, Anastas Kostandini”.

Fjala Taso është shkurtim i emrit të tij dhe ai e  përdor këtë dhe si një emër artistik. “Unë doja që njerëzit mos ta hiqnin nga vëmendja e tyre emrin Taso, duke shkuar direkt tek personazhi. Unë e bëra këtë cikël me piktura, sepse ekspozitën e konsiderova si një letër që miku ia dërgon mikut të tij. Dhe një letër e gjatë me 21 faqe, sepse unë kam vendosur 21 piktura”, pohoi piktori i njohur Gazmend Leka. Ekspozita personale e Lekës u kuruar nga Ermir Hoxha  në galerinë e artit FAB. Sipas tij, është si një letër nostalgjie për vitet që të dy artistët kanë kaluar bashkë me studimet dhe krijimtarinë dhe kjo duke nisur që në Lice. “Një jetë të zakonshme dhe krijimtarie, që nga atelietë e Liceut e deri në momentet e fundit ku ne takohemi shpeshherë në Pogradec dhe flasim për eksperiencat tona. Megjithëse tërë jetën time unë jam marrë me simbolin, e zgjodha Tason si një personazh simbol për artistin “par excellence”, sepse ai përmbledh në veten e tij artistin, i cili edhe pse jeton në një provincë, me fuqinë e tij ka aftësinë që periferinë ta kthejë në qendër, ashtu si dikur bënte për letrat shqipe Mitrush Kuteli dhe Lasgush Poradeci”, tregon piktori Leka.

Sipas tij, piktori Taso përveç vlerave artistike i ka treguar atij dhe atë pjesë të bukur të Shqipërisë që është në Pogradec dhe rreth tij. “Përveçse unë kam një lloj adhurimi për jetën e tij artistike, ai ka dhe një vlerë tjetër që unë e kam personale, sepse atë copëz Shqipërie që është Pogradeci, Voloreku, Tushemishti, unë dashurinë e parë për atë vend e kam marre nga Taso, sepse jam mësuar me pikturat e tij që kur ka qenë në Lice”, tha Leka.  /ATA/

 

Pin It