Panairi i Librit 2017, Toçi: “Mos tatoni leximin, të rishikohet ligji”

 

Fatmir Toçi ish-drejtues i shoqatës së botuesve dhe një nga organizatorët e parë të Panairit Ndërkombëtar të Librit që mbahet prej 20 vjetësh në Tiranë në një konferencë për median ka bërë apel për ngritjen e nivelit dhe ruajtjen e traditës së mirë të këtij eventi. Toçi e ka konsideruar Panairin e Librit si nga eventet më të rëndësishme që ka kultura shqiptare, dhe gjithë kombit shqiptar. “Akoma pas 30 vjetësh që jemi shoqëri të lirë, ka ende probleme me botuesit dhe librin. Shoqata e botuesve me në krye Petrit Ymerin ka mbajtur gjallë këtë event kaq të rëndësishëm për vendin tonë. Ne jemi bashkë sot, si dikur para 20 vjetësh duke sjellë në

kujtesë vitin e vështirë të 1998, që Shqipëria vinte menjëherë pas një viti kaotik, si ka qenë ’97-ta, ku besoj shumë pak veta mendonin për të organizuar një event të tillë, siç ishte panairi i librit. Më vjen mirë ta theksoj se nga kjo periudhë deri më sot, ky event njohur ka bërë vetëm hapa suksesi, ka njohur shtimin e numrit të botuesve, ka njohur rritjen cilësore dhe formimin professional të një plejade të botuesish shqiptar, ka thithur gjithë mendimin kulturor letrar, estetik, filozofik, politik të të gjitha fushave të tjera shqiptare përmes këtij eventi, duke e kthyer në një nga qendrat të ballafaqimit të vlerave që ka kultura e shkruar shqiptare. Do të thoja pa hezitim, se kultura shqiptare në përgjithësi, e në veçanti kultura e shkruar do të ishte e varfër pa një aktivitet të tillë, në këto përmasa që në fund të fundit ka një bilanc të jashtëzakonshëm të arritjeve të botuesve, dhe autorëve, dhe më pas të raportit që kemi me lexuesit dhe median.”, tha Toçi.

Më tej Fatmir Toçi ka folur për barrierat që i vihen librit siç janë sistemi i deformuar i TVSH-së së librit e më gjerë: “Desha të riktheksoj se problematika, për fatin e keq, të botimeve shqiptare vazhdon të jetë, si përgjatë gati 30 vjetëve siç ka qenë. Kemi një sistem fiskal që nuk e stimulon botimin, nuk e stimulon krijuesin të shkruajë libra, aq më tepër si puna më e papaguar në Shqipëri, duke qenë se kemi një sistem të deformuar të tvsh-së së librit, në dukje nuk ekziston. Por praktikisht gjithë sistemi fiscal që vjen mbi librin pasqyrohet në koston e botimeve, dhe ky taksim shkon tek lexuesi ashtu si thotë Umberto Eco, shkon tek leximi. Kjo është një gjë që do pak dashamirësi e sqaruar në strukturat përkatëse që merren me ekonominë për ta rregulluar më lehtë. Nëse Eco thoshte mos tatoni leximin, ne kemi një ligj që thotë për tatimet e dyta, të ardhurat dytësore që vijnë nga veprimtaria krijuese, që sot është 15% që mund të vihet sot në fokusin e një rishikimi, për arsye se ne nuk tatojmë vetëm leximin, duke i vënë taksa librave”, tha Toçi.

Fatmir Toçi ka shprehur me teje shqetësimin edhe për tatimet. “Me Tatime, po tatojmë edhe dëshirën dhe pasionin e autorëve tyre për të botuar libra, dhe kjo nuk nuk i shërben aspak kulturës kombëtare. Një nga vlerat më të mëdha që ka pasur kjo nismë, si panairi i librit, ky takim tradicional, është i pari aktivitet në botën shqiptare që ka ruajtur vazhdimësinë, që në disa ditë brenda një viti e gjitha bota shqiptare është e pranishme: autorët, lexues, botues nga gjitha trevat Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, diaspora”, tha Toçi. Ai tashmë i është rikthyer fushës së botimeve duke iu bashkuar shoqatës së Botuesve Shqiptarë./Shqiptarja/

Pin It