Simbiozë qytetërimesh, pishtari i mesjetës

Bashkë me çlirimin e shumë vendeve, myslimanët ruajtën me fanatizëm dhe qytetërimin e vjetër të popujve të ndryshëm, si filozofinë e vjetër greke, përfituan nga kultura perse, indiane, kineze dhe njëkohësisht përfituan shumë nga kultura e trashëguar arabe. Ata zgjeruan horizontin e tyre me këto kultura, i pranuan ato, dhe i çuan më tej me përkujdesje të mëdha, studime, punë, saktësime dhe edukatë qytetare. Muslimanët i shtuan qytetërimit bashkëkohor botëror shumë nga studimet e veta, derisa ky arriti pjekurinë dhe formën e tij të plotë dhe u dallua nga të gjitha qytetërimet e mëparëshme.

Përfitimi nga qytetërimi i popujve të vjetër nuk i pakësoi asgjë qytetërimit origjinal arab, grek, kinez, persian, etj. përkundrazi, kjo shtoi vlera të pamohueshme në qytetërimin e përgjithshëm botëror. Nëse nuk do të ishte kujdesi kaq i madh që myslimanët treguan në ruajtjen e vlerave të këtyre qytetërimeve të popujve të ndryshëm, atëherë qytetërimit të asaj kohe do t’i duhej të rifillonte gjithçka nga e para, ashtu siç ka ndodhur me popujt e tjerë para tyre dhe sot do ta gjenin veten në një nivel të afërt me nivelin e njerëzve të epokës së gurit. Mjafton vetëm kjo që myslimanët të krenohen me faktin se, nuk i fshehën ato që mësuan nga popujt e tjerë, por kërkuan, studiuan, ngulmuan, e përhapën këtë dije dhe zbuluan e vunë kështu baza të reja largpamëse për të ardhmen e zhvillimit të qytetërimit botëror.

Ata e ndriçuan këtë qytetërim dhe përhapën dritën e tij në Evropë dhe kontinente të tjera në mënyra të ndryshme si psh:

– nëpërmjet zhvillimit të Andaluzisë (Spanjës së sotme), e cila u bë baza e qytetërimit mysliman në Evropë. Myslimanët hapën uniersitete të shkëlqyera në Andaluzi me qëllim që në to të arsimoheshin studentët evropianë, të cilët përfituan nga këto dije duke i përhapur ato më pas, në vendet e tyre.

– nëpërmjet zhvillimit të Sakalisë (Siçilisë së sotme), ku myslimanët qëndruan 130 vjet duke e berë këtë qendrën e dytë të kulturës islame në Evropë. Mbretërit kristianë i nxitën myslimanët për “prodhimin e diturisë”e njëkohësisht i paguan shtetasit e tyre për përkthimin e librave nga gjuha arabe në gjuhët vendase.

– nëpërmjet udhëtimeve në vende të ndryshme të Lindjes.

– një tjetër shkak për përzierjen e evropianëve me myslimanët kanë qenë dhe kryqëzatat e shumta kundër myslimanëve dhe vizitat e evropianëve në Mekkë (Qabe).

Kështu evropianët mbartën shumë prej njohurive, shkencave, artit e prodhimeve të myslimanëve. Pasja në duart e tyre e shumë librave shkencorë dhe kulturorë në gjuhën arabe, i ndihmoi evropianët për nxitjen e shpirtit të kërkimit, në studimin e shkencave, të letërsisë dhe të arteve të vjetra.

Shkollat e ngritura nga myslimanët patën një shtrirje të gjerë dhe një ndikim të madh, po kështu dhe bibliotekat publike dhe private. Vetëm biblioteka qendrore e Andaluzisë kishte një kapacitet me mbi 600 000 volume, numër tepër i madh për kohën, ku përfshiheshin botime të shumta nga shkenca të ndryshme. Këto shkolla dhe biblioteka tërhoqën shumë prej studiuesve më të njohur të botës islame dhe asaj kristiane.

Prej atyre që studiuan në shkollën “Talitala” në Andaluzi dhe përfituan prej saj qenë dhe Mishel Skot, Daniel Morli, si dhe Robertos Englikos i cili njihet si i pari përkthyes i Kur’anit.

Gjatë periudhës së artë të historisë islame arritjet e myslimanëve kanë qenë të shumta në të gjitha fushat. Nga këto mund të përmendim arritjet:

– në fushën e mjekësisë, ku konstatojmë se libri “Al Haui” i Razit, një nga dijetarët më të njohur myslimanë, i përbërë nga 10 volume, i përmblidhte të gjitha njohuritë shkencore të zhvilluara deri në atë kohë. Duhet theksuar se deri në shekullin e 17-të, ky ishte i vetmi libër i njohur në universitetet evropiane.

– në okulistikë, myslimanët aritën një përparim të madh shkencor. Ka qenë pikërisht studimi i Kindit, libër në të cilin u mbështet më pas Roxher Bakoni në kërkimet e veta në këtë fushë të shkencës.

– në kimi përmendim Xhabir Bin Hajar, që konsiderohet si shkencëtari që vuri bazat e kimisë. Ai sistemoi shumë prej mënyrave të kërkimeve dhe të analizave duke bërë kombinimin e një numri lëndësh kimike. Studimet dhe kërkimet e tij kanë qenë bazë në Evropë deri në shekullin e 18-të.

– në matematikë u përket myslimanëve merita për mënyrën e llogaritjeve të përditëshme. Janë pikërisht ata që e bënë algjebrën një shkencë të vërtetë dhe përparuan në të me hapa të mëdha. Po kështu ishin myslimanët ata, të cilët hodhën bazat e gjeometrisë analitike dhe të trigonometrisë.

– në fushën e astronomisë myslimanët arritën rrezultate shumë të vlefshme dhe, përveç kësaj, ata qenë të parët që shprehën teorinë e rrumbullakësisë së tokës, teori të cilën e përvetësuan ata që erdhën pas tyre në mesjetë.

– në gjeologji, vepra e shkruar nga Ibn Sina për përbërjen e maleve, gurëve, lëndëve minerale etj. të kësaj natyre, konsiderohet si vepra më e rëndësishme mbi të cilën u mbështet Evropa gjatë periushës së rilindjes së vet shkencore.

– në sociologji Ibn Khaldun konsiderohet si themeluesi i saj. Ai ka qenë i pari që ka formuluar ligjet e zhvillimit të popujve dhe i pari që informoi rreth çështjeve të natyrës, gjeografisë dhe klimatologjisë dhe sqaroi rënsësinë dhe ndikimin e saj.

– po kështu një ndikim të madh në perëndim ka pasur edhe arti dhe arkitektura islame.

– në fushën e tregëtisë myslimanët kanë qenë pionierët e botës së re.

– po kështu arritje të shkëlqyera kanë pasur myslimanët dhe në fushën e filozofisë. Dijetari i famshëm El Kindi, konsiderohet një prej 12 shkencëtarëve më me emër që njeh bota e qytetëruar akoma dhe sot e kësaj dite. Deri në shekullin e 14-të, universiteti i Francës, i njihte mendimet e Aristotelit, vetëm sipas mënyrës që kishte përcaktuar dhe komentuar Ibn Ruzhd.

Është rasti të theksohet se veçanërisht veprat e Gazalit dhe të Ibn Ruzhdit kanë pasur një ndikim shumë të madh tek filozofë të krishterë me emër si Tomas Ekijnas dhe Raimond Martin.

Si rezultat i gjithë sa u tha më lart, del qartë se po të mos ishte kjo periudhë e ndritshme në historinë e qytetërimit dhe mendimit njerëzor, atëherë shoqëria njerëzore do të kishte humbur një pjesë mjaft të madhe të qytetërimit, kulturës dhe të arritjeve njerëzore dhe zhvillimi shoqëror dhe nuk do të kishte arritur aty ku është sot.

Kur Evropa erdhi në vete, pas zgjimit të saj nga gjumi i gjatë letargjik, e pa veten nën dritën e qytetërimit islam. Ajo iu drejtua këtij qytetërimi, piu prej tij duke shuar në të etjen e saj dhe kjo vazhdoi për aq kohë sa më në fund Evropa u fut në rrugën e dijes dhe të shkencës dhe arriti atë stad zhvillimi që ka sot. Këtë përfitim dhe vlera kaq të vyera të trashëguara prej qytetërimit islam, i pohojnë mendimtarë të shumtë të dalë nga gjiri i Evropës. Lidhur me këtë Dr. Sartoni pohon se myslimanët kanë qenë mësuesit më të mëdhenj në botë, kurse Nikelson ndër të tjera thekson: “Zbulimet e sotme nuk vlejnë për t’u përmendur në krahasim me atë që ne i jemi borxhlinj pionierëve myslimanë, të cilët kanë qenë pishtarë drite në shekujt e errët të mesjetës, veçanërisht në Evropë.  Kjo e bën të qartë faktin se qytetërimi islam vendosi themelet e qytetërimit modern dhe merita e tij nuk mund të mohohet. Në të vërtetë ai zhvilloi një revolucion shkencor prej të cilit përfitoi i gjithë njerëzimi.

Pin It