Sofra e Jetës

Merr nga sofra e jetës ku dijetarët ushqehen për jetë të jetëve
Merr e mos ngurro se ata janë trashëgimtarë të profetëve
Ata shohin me Dritën e Qiejve dhe Tokës
Ata të tregojnë si të mësosh nga gjithë krijesat e botës
Si ruhet një zemër prej tjetërsimit, këtë mësoje nga bleta
Ajo merr nektar nga gjithë lulet e prapë mbetet vetvetja
Vështroje merimangën e tek gjahu i huaj shpresa mos mbaj,
Ajo ushqehet veç me insektet që bien në rrjetën e saj.
Ka shpezë e shtazë që më fort se njerëzit shikimet i përqëndrojnë
Por me bisht të syrit nuk dinë të shikojnë
Veç gjuhës, gjithë pjesët e trupit ndjejnë nevojë të pushojnë
Le të pushojë dhe gjuha që zemrat në paqe të jetojnë
Ulu në sofrën e jetës dhe ushqehu me fjalët që kurrë nuk mbarojnë!

– Fatmir Muja

Pin It