Sot Dita Ndërkombëtare e Teatrit

 

27 marsi njihet si Dita Botërore e Teatrit që nga viti 1962, pasi kjo ditë ishte iniciuar në Kongresin e 9-të botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatror – INT të UNESCO-s në qershor të vitit 1961, me propozim të Finlandës. Shënimi i kësaj dite bëhet nga rreth njëqind qendra të INT-së. Instituti ndërkombëtar teatror INT është themeluar në vitin 1948 nga UNESCO-ja dhe është organizata më e rëndësishme joqeveritare në sferën e arteve interpretuese.

INT insiston ta promovojë këmbimin ndërkombëtar të njohjeve, ta stimulojë krijimtarinë dhe ta rrisë bashkëpunimin ndërmjet njerëzve të teatrit dhe mirëkuptimit të ndërsjellët me qëllim që të përforcohet paqja dhe miqësia mes popujve.

Muzeu Historik Kombëtar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Teatrit, përkujtojmë fillimet artistike të Teatrit në Shqipëri.

Shfaqja e parë teatrore e dokumentuar në Shqipëri është “Dasma e Lunxhërisë” në vitin 1874 e shkruar nga Koto Hoxhi, e cila u vu në skenë nga nxënësit e shkollës normale “Zografia” të fshatit Qestorat në Gjirokastër.
Krijimet e para dhe shfaqja e parë teatrore përkojnë me Periudhën e Rilindjes Kombëtare. E para dramë shqiptare me strukturë të mirfilltë artistike është “Emira” e arbëreshit Françesk Anton Santori (1814-1894), e shkruar më 1885, e cila u botua nga De Rada në gazetën “Fjamuri i Arbrit”.

Drama shqipe arriti nivele më të larta me autorë të tjerë siç janë: A. Z. Çajupi, me komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr” (1902), Gjergj Fishta me melodramën “Shën Françesku i Asizit” (1909), Fan. S. Noli, me dramën “Israelitë e Filistinë” (1907), Mihal Grameno, me komedinë në tre akte “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe tragjedinë në vargje “Vdekja e Pirros “ (1906) etj.

Teatri i parë profesionist në Shqipëri është Teatri Popullor, i cili u inagurua më 17 Maj të vitit 1945 në Tiranë. Teatri Popullor dhe më vonë pas viteve ’90, i njohur si Teatri Kombëtar, ka një histori gjashtëdhjetë e nëntë vjecare me një repertor të gjerë premierash nga dramaturgjia kombëtare dhe ndërkombëtare. Shfaqja e parë e Teatrit Popullor, është komedia “Topazi” nga Marcel Pagnol, me regjinë e Sokrat Mios. 

Pin It