Sot, nata e bekuar e Beraetit

Në Islam, madhështia e periudhave të veçanta kohore bëhet për myslimanët nga një shkak për zbritjen e mëshirës dhe begatisë së pafund të Allahut (xh.sh.). Këto muaj, ditë dhe netë të begatshme, shenjtërimi i të cilave mbështetet në ajete dhe hadithe gjenden të shpërndara gjatë gjithë vitit, të cilat myslimanët i festojnë prej vitesh.

Sipas kalendarit hënor që bazohet ne hixhretin  (udhëtimi nga Meka në Medine) e Pejgamberit tonë të dashur  (a.s.) veçanërisht muajt Rexhep, Shaban dhe Ramazan janë muaj të begatë. Në Islam këta muaj njihen si: “Tre muajt”.

Nata e Beraetit është nata e pesëmbëdhjetë e muajit Shaban, i cili është muaji i dytë i “Tre muajve” të begatë. Në këtë natë i bëhet e ditur melekëve nga ana e Allahut  (xh.sh.) për rizkun e krijesave gjatë një viti, nëse do të jenë të nderuar ose të përçmuar, nëse do të kenë një jetë të begatshme apo të varfër, për jetëgjatësinë e tyre dhe deri tek numri i haxhilerëve të atij viti.

Fjala Beraet përmban kuptimet: Mospasje lidhje midis dy gjërave, shpëtimi nga përgjegjësia e një personi ose mospasje e përgjegjësisë.

Sipas shpalljes së haditheve të vërteta (sahih) kemi: “Ata njerëz që pendohen  (bëjnë teube) në natën e pesëmbëdhjetë të Shabanit duke përfituar nga falja e gjynaheve nga ana e Allahut  (xh.sh.) do të shpëtojnë prej Xhehenemit.” Nata e pesëmbëdhjetë e Shabanit përveç emrit Beraet ka dhe emrat: Natë e Begatshme sepse ka begati shpirtërore, bereqet dhe mirësi; Nata e Pafajësisë sepse në qoftë se vlerësohet si duhet është një mundësi e dhënë nga Allahu për pastrimin shpirtëror nga gjynahet dhe gabimet; gjithashtu quhet dhe Nata e Mëshirës sepse ka shumë mirësi, falje dhe arrihet në gostinë dhe përgëzimin e Allahut  (xh.sh.)

Rreth begatisë së Natës së Beraetit po i drejtohemi një-dy haditheve të vërtetë  (sahih) që vijojnë si më poshtë: “Në Natën e Beraetit Allahu (xh.sh.) zbret me mëshirën e vet në qiellin e tokës, aty shfaqet  (me veprat dhe duke treguar veçoritë e veta) dhe fal më shumë gjynahe se numri i fijeve të leshit të deleve të fisit Kelb.” Sipas një transmetimi (rivajeti) tjetër Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Natën e Beraetit kalojeni duke bërë ibadet dhe në ditën e saj agjëroni.”

Allahu shfaqet në qiellin e tokës në mbrëmje mbas perëndimit të diellit dhe deri në sabah thotë: “A nuk ka ndonjë që kërkon falje ta fal atë? A nuk ka ndonjë që kërkon rizk (të  mira materiale dhe shpirtërore) t’i jap atij rizk? A nuk ka ndonjë që ka rënë në vështirësi t’i jap rehatinë? A nuk ka ndonjë kështu, A nuk ka ndonjë ashtu? e kështu me radhë.” Ndërsa në një hadith tjetër është dhënë sihariqi se duatë që bëhen në Natën e Beraetit  nuk kthehen mbrapsh (pranohen).

Sipas burimeve islame nata e Beraetit njihet për këto pesë veçori:

  1. Në këtë natë bëhet një përzgjedhje dhe ndarje me vlera dhe qëllime e çdo pune të rëndësishme.
  2. Ibadetet  (namazet që falen, Kurani që lexohet, duatë që bëhen dhe faljet që kërkohen) që bëhen gjatë kësaj nate dhe agjërimi i kësaj dite kanë një vlerë shumë të madhe.
  3. Është një natë e mbushur plot për plot me begati dhe mirësi hyjnore.
  4. Është nata e faljes.
  5. Në këtë natë Pejgamberit (a.s.) i është dhënë e drejta e ndërmjetësimit të plotë.

Në këtë natë nuk përfitojnë nga keqardhja, falja dhe mirësia e Allahut vetëm këta persona:

  1. Ata që i bëjnë ortak (shirk) Allahut
  2. Ata të cilët duke pasur zemrat e tyre plot për plot me ndjenja armiqësore nuk mendojnë gjë tjeter veçse t’i kundërvihen njerëzve.
  3. Ata që prishin lidhjet farefisnore.
  4. Ata që zvarrisin rrobat e tyre në tokë për shkak të mëndjemadhësisë dhe lartësimit të tyre.
  5. Ata që vazhdojnë pabesinë ndaj nënës dhe babait.

Burimi:Drita Islame

Pin It