Duartrokitet, por nuk kualifikohet në natën finale në Eurovision Linda Halimi

Me këngën “Botë”, këngëtarja Lindita Halimi korri duartrokitje në natën e parë të Festivalit Europian të Këngës, Eurosong 2017, që nisi mbrëmjen e djeshme në Kiev të Ukrainës.

Përfaqësuesja e Shqipërisë doli e katërta në skenë dhe u mbështet me dashamirësi nga të pranishmit, ndërsa përshëndetja e saj në shqip dhe anglisht ishte mbresëlënëse.

Por këngëtarja shqiptare nuk arriti të kualifikohet për në natën finale, duke i dhënë fund garës së saj, që në natën e parë të konkurrimit.

Edhe gjatë ditëve të provave në Kiev, këngëtarja shqiptare ka marrë vlerësime për potencën vokale. Më 11 maj është nata e dytë gjysmëfinale, ndërsa të shtunën është finalja e Eurovision.

Në një reagim në rrjetin social facebook, Linda Halimi u shpreh se “jam përgjithmonë mirënjohëse për këtë mundësi të jem në skenën gjigande të Eurovisionit”.  “Faleminderit të gjithëve për këtë eksperience të bukur! Kam kaluar për mrekulli ! Fat vitin tjetër Shqipëria ime”. /ATA/

Pin It