Studimi: Zogjtë njohin zërat dhe fytyrat e njerëzve

 

Nëse keni kanarinë në shtëpi dhe shpesh herë mund t’ju jetë dukur se ajo ju njeh, ju themi se keni plotësisht të drejtë. Studimet e fundit kanë arritur në përfundimin se, zogjtë janë në gjendje të njohin fytyrat dhe zërat e njerëzve me të cilët janë në kontakt të vazhdueshëm. Një ekip shkencëtarësh të Universitetit të Lincolnit, në Britaninë e Madhe dhe të Universitetit të Vjenës, kanë studiuar sjelljet e pëllumbave dhe korbave, në dy eksperimente të ndryshme.

Studimi i parë, i publikuar në revistën “Avian Biology Research”, ka evidentuar se pëllumbat arrijnë të njohin qeniet njerëzore të afërta dhe jo të afërta. Ekipi i shkencëtarëve ka stërvitur fillimisht një grup pëllumbash që të njohin diferencën mes fotografive të objekteve familjare dhe fotografive të objekteve të panjohura. Më pas këtyre pëllumbave u janë treguar fotografitë e disa çifteve: një fytyrë ishte shpesh në kontakt me zogjtë, ndërsa tjetra ishte e panjohur për ta. E njëjta gjë është bërë dhe për grupin e zogjve të pastërvitur paraprakisht për të njohur objektet familjare.

Në përfundim, zogjtë që ishin stërvitur ishin në gjendje të njihnin dhe klasifikonin personat familjarë duke përdorur vetëm fytyrat. Në një studim tjetër, të publikuar në revistën “Animal Cognition”, shkencëtarët kanë studiuar aftësinë e korbave për të dalluar zërat e qenieve njerëzore të afërm me njëri-tjetrin, ose jo. Një studim i mëparshëm ishte përqendruar në aftësinë e korbave për të njohur dhe komunikuar brenda llojit.

 

Pin It