Surja Fatiha, çelësi i shpalljes hyjnore

Surja “Fatiha”, thuhet me të drejtë se përfshin në përmbajtje të gjithë Kur’anin. Komentatorët e Kur’anit kanë thënë se në këtë sure, ndodhen të gjitha dispozitat e Kur’anit si: Zoti dhe vetitë e Tij të larta, punët e Profetësisë, përmendje e Ahiretit, detyrat e njeriut ndaj Zotit, lutja vetëm Allahut dhe kërkimi ndihmë vetëm prej Tij, etj. Kjo sure është si një burim i madh dhe suret e tjera janë si vija të këtij burimi që mbyllet edhe si lutje, me më shumë vlerë se lutjet e tjera. Megjithëse e shkurtër, sjell argumenta të qarta për të medituar mbi gjithçka që ka krijuar Allahu, mbi mirësitë dhe begatitë që i janë dhuruar njeriut. Kjo sure ka shtatë ajete dhe cilësohet edhe me shumë emra të tjerë si:

  1. “Fatihatu’l-Kitab”, që do të thotë “çelësi i shpalljes Hyjnore”,
  2. “Ummu’l- Kur’an”, që do të thotë “nëna e Kur’anit”, sepse baza e kësaj sure ka përfshirë në vetvete qëllimet e mëdha të Kur’anit si ç’është lavdërimi i Zotit,
  3. “Sure Salat”, surja e namazit, sepse lexohet në çdo ritual të faljes së pesë kohëve të namazit,
  4. “Suretu’l Vafije”, surja besnike që në faljen e namazit nuk pranon ndarje, por lexohet e gjitha deri në fund,
  5. “Suretu’l Kafije”, surja e mjaftueshme për të plotësuar namazin e besimtarit që nuk di më shumë,
  6. “Suretu’l- Esasi, surja themelore, rrënja e Kur’anit,
  7. “Suretu’l-Shifa, surja e shërimit të sëmundjeve morale e shpirtërore etj.

 

Burimi: Balla, Xhemal. “Kur’ani dhe Njeriu” 6. Tiranë 2016, fq. 4-6.

Pin It