Tahiri, policët që nuk kalojnë testin periodik pushohen nga puna

big_tahiri_tek_siguria_28_janar_2

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha sot se punonjësit e policisë do t’i nënshtrohen një testi periodik për perfomancën fizike dhe profesionale, por nëse ky test nuk kalohet, policët duke përfshirë edhe drejtuesit e lartë do të pushohen nga puna.

“Në rregulloren e re të Policisë e cila ka hyrë në fuqi, parashikohen teste periodike për performancën fizike dhe profesionale të punonjësve të policisë.

Kush nuk kalon testin nga punonjësit e Policisë, këtu përfshirë edhe drejtuesit nuk duhet të jetë më në punë. Rregullorja ka parashikuar që punonjësit e policisë duhet t’i përgjigjen maksimalisht performancës profesionale edhe fizike.

Nuk ka pse qytetarët të shikojnë më në rrugë punonjës të policisë që mjafton t’i shikosh dhe nuk të ngjallin pikën e besimit te Policia e Shtetit dhe kjo për shkaqe shumë të thjeshta”, ka thënë Tahiri.

Më tej, Tahiri shtoi se numri i telefonit të tij personal do të vendoset në çdo post policie dhe do të jetë avokati i çdo qytetari që ankohet për shërbimet e policisë.

Pin It