Të durosh me durim të bukur…

Në ballkon pranë shkallëve, ishin ulur babai i moshuar rreth të tetëdhjetave dhe djali i tij me pozitë të lartë, rreth të dyzetave që i kishte ardhur për vizitë. Pasi kishin folur gjerë e gjatë, duke kaluar nga njëra çështje në tjetrën, i biri kishte heshtur, duke dhënë kështu sinjalin që kishte ardhur koha të largohej.

Në atë moment, pranë parvazit të dritares së ballkonit ku po rrinin ata, qëndron një sorrë. Babai i moshuar pasi e kishte vështruar për pak çaste sorrën, e pyet të birin:

-Çfarë është kjo biri im?

I biri i çuditur, përgjigjet:

– Është një sorrë baba.

Babai i moshuar duke e vështuar ende sorrën, pyet përsëri:

-Çfarë është kjo biri im?

I biri i çuditur edhe më shumë, përgjigjet përsëri:

-Baba, është një sorrë…

Sorra rrinte ende mbi parvaz, duke e lëvizur kokën sa andej-këtej me lëvizje qesharake. Njëherë e shtrembëronte kokën, njëherë shihte nga qielli, e pastaj shihte përsëri ata. Babai i moshuar pyeti për herë të tretë:

-Çfarë është kjo biri im?

I biri tashmë i mërzitur dhe i inatosur, i kthehet:

– Është një sorrë o baba! Hera e tretë që më pyet. A nuk më dëgjon kur flas?

Kur i ati e pyeti për herë të katërt të birin që tashmë i kishte sosur durimi, i kthehet me nervozizëm:

-Pse e bën këtë, baba? Është hera e katërt që pyet, ta kam thënë katër herë e ti vazhdon akoma. A do të më provosh durimin?

Babai, të cilit nuk i kishte ikur ende buzëqeshja nga fytyra, ngrihet dhe futet në dhomë duke u kthyer pranë të birit me një bllok në dorë. Ishte një bllok kujtimesh, të cilin pasi u ul, e hapi dhe filloi të shfletonte. Pasi e kishte gjetur atë që kërkonte, me dashuri dhe një buzëqeshje që nuk i shqitej nga fytyra, ia zgjati të birit dhe i kërkoi që të lëxonte diku. I biri filloi të lexonte me kujdes: “Sot kur u ulëm bashke më vogëlushin tim 3 vjeçar në ballkon, qëndroi një sorrë në parvazin e dritares pranë nesh. Im bir më pyeti plot 23 herë se ç’ishte ajo. Iu përgjigja pyetjes së vogëlushit tim duke e përqafuar me dashuri çdo herë që më pyeti. Të mërzitesha?! Jo, aspak. Përsëritja e vazhdueshme e pyetjes së tij të pafajshme, më mbushte shpirtin me dashuri!”

I biri nuk kishte më fjalë, prej ngashërimit që i kishte zënë grykën. Mundi të shqiptonte veç, “Të lutem baba, më fal!”

“Duro, me një durim tw bukur!” [Surja Mearixh, 5]

Pin It