Të shohësh përtej asaj që të ka zënë…

Në një ditë shumë të ftohtë dimri, mbreti dhe këshilltari i tij i preferuar po bënin një shëtitje përgjatë liqenit. Në bisedë e sipër, këshilltari thotë se njeriu mund të bëjë gjithçka për para. Mbreti nxori dorën nga xhepi, drejtoi gishtin tek liqeni dhe e futi shpejt në xhep nga i ftohti duke thënë: “Nuk mendoj se një njeri do ta kalojë natën në atë liqen të ftohtë për para”. Këshilltari ia kthen, “Jam mëse i bindur se mund ta gjej dikë që e bën këtë gjë”. Më pas, mbreti e sfidoi këshilltarin duke thënë se nëse gjen dikë që kalon gjithë natën në liqen, atëherë do t’i japë atij personi 1000 monedha floriri.

Këshilltari kërkoi gjithandej derisa gjeti një burrë të varfër që ishte mjaftueshëm i dëshpëruar saqë pranoi sfidën. Burri i varfër u fut në liqen dhe mbreti vendosi roje pranë tij për të verifikuar nëse vërtet ai do të qëndronte gjithë natën aty. Të nesërmen në mëngjes, rojet e morën burrin e varfër dhe e dërguan tek mbreti. Ai pyeti rojet nëse kishte qëndruar gjithë natën në ujë dhe ata iu përgjigjën po. Pastaj mbreti pyeti burrin e varfër se si ia bëri që duroi gjithë natën në atë të ftohtë.

Burri i varfër tha se në rrugë ishte një ndriçues (nga ato llambat me vajguri) dhe se të gjithë përqëndrimin e tij e kishte fiksuar tek ndriçuesi dhe jo tek i ftohti. Pastaj mbreti tha se nuk do të kishte shpërblim pasi ai e kishte kaluar natën në liqen nga ngrohtësia e ndriçuesit. Burri i varfër shkoi tek këshilltari për ndihmë.

Të nesërmen, këshilltari nuk shkoi në oborrin mbretëror. Mbreti vriste mendjen se ku ishte ai dhe dërgoi një ushtar në shtëpinë e tij. Ushtari u kthye dhe i tha mbretit se këshilltari do të vinte sapo të mbaronte së gatuari pilafin. Mbreti priti për orë të tëra, por këshilltari nuk erdhi. Më në fund, mbreti vendosi të shkojë vetë në shtëpinë e këshilltarit për të parë se çfarë po bënte.

Ai e gjeti këshilltarin të ulur pranë disa shkarpave të vogla që digjeshin dhe rreth 2 metra mbi shkarpa ishte varur një enë me ujë dhe oriz. Mbreti dhe shoqëruesit e tij u shkrinë nga të qeshurat.

“Si mund të ziejë orizi e të bëhet pilaf aq larg nga zjarri?”, e pyti mbreti me ironi.

“Në të njëjtën mënyrë siç u ngroh ai burri i varfër nga ndriçuesi që ishte më shumë se 30 metra larg.”

 

Pin It