Thjeshtohen procedurat për vlerësimin mjekësor të aftësisë së kufizuar

Asnjë person me aftësi të kufizuara nuk do të paraqitet më pranë ambienteve ku zhvillohen komisionimet nga KMCAP-të.

Ndryshe nga sa ndodhte më parë, tanimë vendimi do të merret nga komisioni, bazuar në dokumentacionin e dosjes së paraqitur, ndërsa përgjigja do t’i dërgohet qytetarit në shtëpi nga administratori shoqëror në njësinë vendore ku banon.

Janë këto ndryshimet më fundit, të cilat janë konfirmuar nga vetë Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Luneda Sufali, e cila ka bërë të ditur thjeshtimin e procedurave të vlerësimit të aftësisë së kufizuar.

Me ndryshimet e bëra në rregullore, personat me aftësi të kufizuara nuk do të sorollaten më nëpër radhë të gjata për të marrë KMCAP (vlerësimin mjekësor të aftësisë së kufizuar).

Kur qytetari paraqitet për herë të parë për vlerësim, ose rivlerësim të aftësisë për punë, mjeku specialist plotëson saktë, qartë dhe me përgjegjësi “Fletën e Drejtimit për në KMCAP” dhe “Epikrizën Përcjellëse” për rastet e rivlerësimit, të cilave u bashkëngjiten të dhënat e ID së personit, dhe ekzaminime që janë të domosdoshme për evidentimin e plotë të gjendjes shëndetësore të qytetarit.

Pra, siç shpjegohet më sipër, qytetari që aplikon për herë të parë për përfitimin e pagesës për aftësi të kufizuar, paraqitet vetëm tek mjeku specialist në spital, dhe më pas merr në banesë vendimin final të KMCAP-it. Kur vlerësimi bëhet për herë të parë, dosja shqyrtohet brenda 30 ditëve nga KMCAP-i, ndërsa kur bëhet rivlerësim, dosja duhet të paraqitet nga administratori shoqëror në Drejtorinë Rajonale të SHSSH-së, dy muaj para përfundimit të afatit të vendimit të fundit.

Me këtë ndryshim në rregullore qytetarët nuk do të sorollaten më zyrave të shtetit dhe nga ana tjetër do të shmangen në maksimum mundësitë për korrupsion. /ATA/

Pin It