TIFF- Viktor Gjika, katër projeksione të regjisorit shqiptar

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në kuadër të TIFF – Tirana International Film Festival organizon “Fokus: Viktor Gjika”, pasi viti 2017 shënon atë që do të ishte ditëlindja e 80-të e regjisorit shqiptar .

Me këtë rast, TIFF paraqet katër nga veprat e tij më të njohura në gjininë e filmit artistik, ashtu siç meritojnë të shihen, në ekranin e madh dhe të projektuara në 35mm në sallën e kinemasë në AQSHF (Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit) me risinë e subtitrimeve në anglisht, për të gjithë dashamirësit e kinematografisë shqiptare.

Filmi “Rrugë të bardha” prodhim i vitit 1974 me regji nga Viktor Gjika u shfaq mbrëmë për publikun për t’ia lënë më pas vendin dhe tre filmave të tjerë. Në vijim për publikun do të jenë filmat “I teti në bronz” i viti 1970, “Në çdo stinë” i vitit 1980, si dhe i fundit do të jetë filmi “Njeriu me top” i vitit 1977.

Veprat e regjisorit do të vazhdojnë të shfaqen për publikun deri në datë 9 Nëntor 2017, ora 17:30 .

Këto katër tituj; “Rrugë të bardha” “I teti në bronz”. “Në çdo stinë” dhe “Njeriu me top” sipas AQSHF, përfaqësojnë aftësitë e padiskutueshme të Gjikës për të bashkëpunuar me disa nga skenaristët, kinematografët dhe aktorët më të shquar të epokës së Kinostudios “Shqipëria e re”.

”Secili prej tyre ka një kontribut të vazhdueshëm dhe nganjëherë kontrovers në kinematografinë e këtij vendi. Puna e Viktor Gjikës si përcaktuese e zhanrit të filmit artistik dhe kryesisht e panjohur jashtë kufijve të Shqipërisë, ende diskutohet nga kritikët e kinemasë të cilët përpiqen të kuptojnë nocionet komplekse të artit dhe kulturës në Shqipëri gjatë pesëdhjetë viteve të diktaturës”, theksohet në njoftimin e arkivit.

Viktor Gjika

I lindur në qytetin jugor të Korçës, “Parisit të Vogël” të Shqipërisë, Viktor Gjika u rrit i mrekulluar nga shfaqjet e filmave në kinemanë e qytetit të tij, Majestic (salla më e madhe në Ballkan në atë kohë). Gjatë viteve 1950, kur Shqipëria ishte në sferën e ndikimit sovjetik, Gjika përfundoi studimet në Institutin e Kinemasë VGIK në Moskë. Gjatë gjithë jetës së tij artistike, Gjika realizoi pesëmbëdhjetë filma artistikë dhe njëzet e gjashtë dokumentarë.

Gjika filloi karrierën e tij si kameraman në filmin e Hysen Hakanit “Debatik” (1961) dhe Detyrë e posaçme” të Kristaq Dhamos (1963). Pas realizimit të një sërë dokumentarësh, Gjika u kthye në regji me filmin “Komisari i dritës” (1966), duke mbajtur për dy dekada një nga shtyllat e kinemasë komuniste shqiptare. Për shumë shqiptarë, tituj të njohur si “Horizonte të hairta” (1968), “Yjet e netëve të gjata” (1972), “Gjeneral gramafoni” (1978) janë kthyer në pika referimi kolektive për të rinjtë apo për më të vjetrit, duke anashkaluar kështu ideologjinë ndonjëherë të rëndë të pranishme në këto filma.

Në vitin 2012, Projekti i Kinemasë Shqiptare, një iniciativë e themeluar për të sjellë vëmendjen në trashëgiminë e rrezikuar filmike shqiptare, ka punuar me kompaninë amerikane Colorlab për të financuar restaurimin e filmit “Nëntori i dytë” (1982) të Viktor Gjikës. Një nga më të kushtueshmit të realizuar në epokën e Kinostudios, ky film është një kronikë e gjerë mbi luftën e shqiptarëve për pavarësi. Premiera e filmit të restauruar pati një shfaqje triumfuese në Tiranë në njëqindvjetorin e ngjarjeve të përshkruara në epikën e Gjikës./a.a/a.g/

 

Pin It