“Tirana Art Fest”, hapen audicionet në gjimnaze

“Tirana Art Fest” rikthehet për të tretin vit radhazi, duke synuar shtimin e jetës kulturore-artistike në kryeqytet, ku protagonistë janë të rinjtë.

Në të gjitha gjimnazet e Tiranës (publike dhe jopublike), të rinj nga mosha 15 deri në 19 vjeç, do të performojnë në tre disiplina të ndryshme: muzikë, kërcim dhe multimedia, këtë herë me risi në secilën kategori konkurruese.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndoqi performancën e të rinjve të talentuar të tre gjimnazeve: “Sinan Tafaj”, “Ismail Qemali” dhe “Abdulla Keta”, ku vlerësoi se “Tirana Art Fest” është një mundësi shumë e mirë për të zbuluar talentet e reja dhe për të mbështetur të rinjtë.

“Secili prej nesh ka nevojë që të ketë një dorë në jetë, ku disa prej atyre që kanë fituar apo kanë marrë pjesë në “Tirana Art Fest”, tani kanë shkuar në një nivel më të lartë, sepse dikush i zbuloi kur ishin në gjimnaz. Unë shpresoj shumë që për ata që do të zbulohen si talente, të kemi mundësi që t’ju promovojmë që të shkoni më lart. Por edhe për ata që ndoshta do të kuptojnë që nuk janë të “prerë” për këtë punë, të kemi mundësi të eksplorojnë diçka tjetër”, tha Veliaj, teksa siguroi se Bashkia e Tiranës do të jetë gjithnjë në krah të të rinjve të kryeqytetit dhe promovimin e tyre, së bashku me ekipin e trajnerëve të “Tirana Art Fest”, Bojken Lako, Mariza Ikonomi, Shpend Bengu, Gerd Vaso etj,.

Kreu i Bashkisë u shpreh se historitë e vërteta të suksesit në Shqipëri nuk janë ato që krijohen nga emri i familjes, por janë historitë e djemve dhe të vajzave të Tiranës, që me talentin dhe punën e tyre arrijnë të bëjnë realitet ëndrrat që dikush tjetër i konsideron të pamundura.

Kryebashkiaku u kërkoi vajzave dhe djemve të talentuar, pjesë e këtij rrugëtimi artistik në gjimnazet e kryeqytetit që në përfundim të kësaj gare, të punojnë bashkërisht për një gjeneratë më të mirë.

“Tirana Art Fest ” është kthyer tashmë në një traditë të bukur artistike duke synuar nxitjen, promovimin e talenteve të reja dhe inkurajimin e krijuesve të rinj të shkollave të mesme. Gjithashtu, ky projekt ndihmon në diversitetin social- kulturor, edukimin dhe argëtimin e të rinjve e po ashtu dhe për të kontribuar në luftën ndaj të gjithë fenomeneve sociale negative.

Një vit më parë morën pjesë 300 talente nga shkolla të ndryshme të kryeqytetit, ndërkohë që shumë prej talenteve të “Tirana ART Fest” janë sot pjesë e tregut artistik, duke u renditur të parët në klasifikimet muzikore./ ATA/

 

 

Pin It