Tirana, qyteti i dytë në botë për numrin e lartë të bar-kafeve

A e dini se Tirana është qyteti i dytë në botë për numrin e lartë të bar-kafeve për banorë? Sipas statistikave 18 % e bizneseve në Shqipëri janë bare ose restorante. INSTAT konfirmon se janë 473  bar-kafe për 100,000 banorë në Shqipëri. Shqipëra është vend i dytë pas Spanjës, e ndjekur nga Qipro. Në Amsterdam janë 63 bar-kafe për 100,000 banorë, ndërsa në Berlin janë 36, në Londër 32 etj.

Këto nuk janë thjesht statistika. Kjo mund të shihet shumë qartë nëse viziton Tiranën. Çdo turist që vjen për herë të parë në Tiranë i bën përshtypje numri i lartë i bareve në çdo cep të kryeqytetit. Ka aq shumë larmishmëri baresh sa vështirë të zgjedhësh. Baret janë me dizajn të bukur si jashtë dhe brenda, të mobiluara estetikisht që i bën akoma më të frekuentuara. Por, numri më i madh i bareve ndodhet në zonën e ish-Bllokut, në zemër të Tiranës. Teksa e mendon të duket paradoksale se si gjatë komunizmit ka qenë e ndaluar për njerëzit, pasi ishte zona më e pasur e gjithë Shqipërisë ku jetonin udhëheqësit e partisë komuniste, ndërsa pjesa tjetër e vendit ishte e zhytur në varfëri.

Sot, ka ndryshuar  çdo gjë. Kultura e kafesë mund të thuhet se është kthyer në një traditë në Shqipëri, në një stil jetese. Këtu nuk mund t’a fillosh ditën pa kafe. Shumë njerëz pijnë dy kafe në ditë, ka dhe të tjerë që konsumojnë deri në 5 kafe në ditë. Konsumatorët më të mëdhenj janë të rinjtë e papunë. Veç kësaj, ka persona që takimet apo diskutimet e biznesit i kryejnë në kafe si një shenjë  afrimiteti dhe bashkëpunimi miqësor. Një shprehje që na dallon ne shqiptarët është: “Dalim për kafe”, kur në të vërtetë mund të shkojmë në bar për të konsumuar diçka tjetër dhe jo kafe. Është vendi ku lidhen miqësitë, ku firmosen shumë marrëveshje, ku lidhen martesat, ku respektohet miku etj. Turistët gjithashtu nuk i shpëtojnë këtij stili jetese, madje e përqafojnë me kënaqësi..

Burimi: Visit Tirana

Pin It