“TR030”, prezantohet drafti final i Planit të Përgjithshëm Vendor

copertina-rivista-1120x746

Pavarësisht bindjeve politike, këshilltarë të majtë dhe të djathtë si dhe aktivistë të shoqërisë civile u bënë bashkë në dëgjesën e organizuar nga Bashkia e Tiranës ku u prezantua drafti final i Planit të Përgjithshëm Vendor, “TR030”.

Përmes një statusi në Facebook, Veliaj shkruan se ky draft final i Planit Vendor vjen pas zhvillimit të 24 dëgjesave në 24 njësitë administrative të kryeqytetit dhe diskutimit me grupet e interesit.

“Përtej ndasive politike, u bëmë bashkë për dëgjesën e fundit me këshillin bashkiak, pas 24 dëgjesave në 24 njësi dhe konsultimet me grupet e interesit, për planin e ri urbanistik Tirana030 ”, shkruan Veliaj.

Kryebashkiaku thekson se plani i ri parashikon më pak beton dhe më shumë gjelbërim për kryeqytetin.

“Edhe dy ditë nga Plani i Ri i Tiranës, Kushtetutë e qytetit për më pak beton, më shumë gjelbërim e që përfshin 24 njësitë tani në metropol”, thekson Veliaj.

Plani parashikon një Tiranë shumë herë më të gjelbër dhe më të pastër dhe kjo falë edhe idesë për krijimin e pyllit orbital, ku janë parashikuar që në 15 vitet e ardhshme të mbillen afro 2 milionë pemë. Në Planin e ri të Përgjithshëm Vendor parashikohet që të ndërtohet infrastruktura e duhur arsimore dhe sociale e cila do t’i përgjigjet zhvillimit që merr qyteti në vazhdimësi. Për këtë janë parashikuar që të ndërtohen minimum 20 shkolla të reja që do të zgjidhin dhe çështjen e mësimit me dy turne. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i këtij dokumenti është edhe krijimi një Tirane policentrike me 5 qendra. Rëndësi i jep Plani edhe ndërtimit të unazave të reja të qytetit, dy prej të cilave do të jenë të dedikuara për këmbësorët dhe biçikletat.

Pin It