“Traviata” sjell artistët ndërkombëtarë në Tiranë. Artistja franceze P. Madoeuf këndon Violetën

 

2034420-1

“La Traviata” e Giuseppe Verdit, do të shfaqet premierë në datën 17 dhjetor, për të vijuar dhe më 18-­19 dhe 20 dhjetor, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Drejtoresha e Teatrit Kombetar të Operas dhe Baletit thekson se këtë herë, 60 vjet pas vënies së parë, “La Traviata” vjen si një produksion unik, që mban vulë ndërkombëtare.

Një kthim në kohë, në historinë e gjithë vënieve të “La Traviatës” në skenën shqiptare të çon 60 vjet më parë, atëherë kur Violetë ishte e madhja Marie Kraja, ndërsa Alfredo ishte Maliq Herri. Pas kësaj shfaqje të parë, do të shënoheshin dhe shumë rivënie, kur kurtizanet e bukura nëpër vite do të ishin Nina Mula, Edit Mihali, Inva Mula, Mariana Leka, Ermonela Jahos, Eva Golemit. Ndërsa Alfredot do të ishin Gaqo Çako, Hysen Koçia, Armaldo Kllogjeri, Saimir Pirgu etj. Tashmë ka ardhur koha për një tjetër “La Traviatë”, si një superproduksion, unik e internacional, nën drejtimin e mjeshtrit spanjoll, Ricardo Casero, pohon Çela. Sipas një kocepti të ri regjisorial të austriakes Magdalena Fuchsberger, skenografie moderne (në videoprojektor) nga gjermani Aron Kitzig, do të ketë edhe pjesë baleti nga Gerdi Vaso dhe Enada Hoxha. Kostumografia e Ardit Asllanit ka sjellë një emocion të veçantë tek protagonistët e “La Traviata”. Personazhet kryesore, Violeta dhe Alfredo do të interpretohen nga Eva Golemi dhe sopranoja franceze Perrine Madoeuf, nga Armaldo Kllogjeri dhe italiani Giuseppe Tommaso. Perrine Madoeuf u bë e njohur për publikun shqiptar në festivalin Marije Kraja si një konkurrente e fortë dhe me një zë origjinal. Ndërsa në rolin e Giorgio Germontit do të jenë Ylber Gjini dhe Gocha Abuladze. Një ndër elementët interesant në këtë shfaqje do të jetë dhe koreografia e punuar nga Enada Hoxha dhe Gerti Vaso.

Pin It