Trump: “Muri në kufi me Meksikën do të ngrihet”

trump

Pas firmosjes së vendimit që i hap rrugën përmbysjes së “Obamacare”, daljes nga partneriteti i trans-paqësorit dhe nënshkrimit të urdhrit ekzekutiv për dy naftësjellës që rrezikojnë ndotjen e mjedisit, Presidenti i ri amerikan i rikthehet një lëvizjeje të shumëkritikuar: ngritjes së murit në kufi me Meksikën. Është planifikuar një ditë e madhe për sigurinë kombëtare, sipas Trump, dhe ajo do të përfshijë veprimin ekzekutiv që kanalizon burime federale drejt ndërtimit të murit.

Shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë nuk do të mjaftohet me kaq, por do të njoftojë një sërë masash të lidhura me emigracionin, të cilat do të prekin edhe vizat. Plani i tij është të nënshkruajë dy urdhra ekzekutivë gjatë vizitës në Departamentin e Sigurisë Kombëtare. I pari, ai që udhëzon ngritjen e murit, mandaton gjithashtu shtimin e personelit të mbrojtjes kufitare dhe doganore me 5 000 punonjës.

Departamentit do t’i kërkohet po kështu të japë publikisht detaje mbi ndihmën që i shkon aktualisht Meksikës, tregues ky se një pjesë e këtyre parave mund të devijohen tek ngritja e murit, çka do të thotë se në këtë mënyrë do të përmbushet dhe premtimi i hershëm i Trumpit që në një mënyrë apo një tjetër, për murin do të paguajë vetë Meksika.

Ndër urdhrat që do të lëshojë në vijim Presidenti amerikan mbi sigurinë e kufijve është edhe “verifikimi ekstrem” i njerëzve që udhëtojnë drejt SHBA-së nga Siria dhe gjashtë vende të tjera me shumicë myslimane në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, gjë që do të kufizojë edhe hyrjen e refugjatëve.

Pin It