U fal mëkatari, thatësira u largua

Në kohën e Musait (paqja e Allahut qoftë mbi të) i goditi beni israilët një thatësi e madhe e cila i shtyri ata të mblidheshin te Musai (paqja e Allahut qoftë mbi të).

Iu drejtuan dhe i thanë: “O ti me të cilin ka folur Allahu, lute Zotin tënd të na lëshojë shi! Ai u ngrit së bashku me popullin e tij dhe dolën në shkretëtirë, ishin afërsisht shtatëdhjetëmijë vetë ose më tepër.

U mblodhën, filluan të luteshin të pluhurosur, të uritur e të etur. Atëherë, Musai (paqja e Allahut qoftë mbi të) u ngrit dhe filloi të lutej: “Zoti im na lësho shi, na mëshiro, na mëshiro për shkak të fëmijëve, kafshëve e të moshuarve!”

Rezultatet nuk shiheshin, dielli vazhdonte të jetë i nxehtë. Musai (paqja e Allahut qoftë mbi të) tha: ‘’Zoti im, na furnizo me shi!’’

Allahu iu përgjigj: ’’Si të ju lëshoj shi kur në mesin tuaj është një njeri që bën mëkate prej dyzet vitesh ?! Për shkak të tij jua kam ndaluar shiun, andaj thirre atë, le të dalë nga turma e njerëzve”.

Musai (paqja e Allahut qoftë mbi të) thirri: “O ti njeri që i bën mëkate Allahut prej dyzet vitesh , dil nga turma e njerëzve! Për shkak tëndin jemi privuar nga shiu!”

Njeriu gabimtar shikoi djathtas e majtas, nuk pa që ndokush doli nga turma, atëherë e kuptoi që ai është për qëllim. Në atë çast ai tha me vete: ‘Nëse dal tani nga turma e madhe e njerëzve, do të turpërohem në mesin e beni israilëve, nëse rri në mesin e tyre nuk do të ketë shi!”, u dëshpërua dhe i rrodhën lotët.

Futi kokën nën rrobën e tij, i penduar për veprat e tij dhe tha: “Zoti im, të kam bërë mëkate prej dyzet vitesh , m’i ke mbuluar e më ke lënë, tashti të kam ardhur i nënshtruar…”, vazhdoi kështu ta luste Allahun për falje.

Pa e mbaruar lutjen, u afrua një re e bardhë dhe filloi të bie shi. U çudit Musai (paqja e Allahut qoftë mbi të) dhe tha: “ Zoti im, na furnizove me shi, kurse nga mesi ynë nuk doli askush.”

Allahu i Lartëmadhëruar tha: “O Musa jua lëshova shiun për shkak të atij për shkak të të cilit ua pata ndaluar atë!”

Musai (paqja e Allahut qoftë mbi të) tha: “O Zot, më trego cili është ai rob i nënshtruar!”

Allahu i Lartëmadhëruar tha: “O Musa, nuk e kam turpëruar atë kur më bënte mëkate, e si ta turpëroj tash kur është i nënshtruar?!”

Përktheu: Fitim Hasani

Pin It