Ura më e gjatë në botë gati për inaugurimin

Kina po bëhet gati të inaugurojë urën më të gjatë në botë, e cila përshkon një distancë prej 55 kilometrash duke lidhur Hong Kong, Zhuhai dhe Makau, tre qytete të mëdha në deltën e lumit të Perlave.

Dora e fundit e çimentos u hodh në Nëntor të 2017 dhe tashmë është gjithçka gati për festën e prerjes së shiritit, që pritet të ndodhë më 1 Korrik 2018.

Sipas burimeve zyrtare, kostoja e kësaj vepre gjigande është 7.56 miliardë dollarë, si dhe 4 miliardë dollarë të tjerë që janë dashur për infrastrukturën në territor.

Nga pikëpamja inxhinierike, ura është vërtetë unike, pasi mund t’i rezistojë tërmeteve deri në 8 ballë, uraganeve super të fuqishëm si dhe përplasjeve nga anijet gjigande të transportit të mallrave.

Për ta ndërtuar janë dashur mbi 400 mijë ton çelik. Për shkak se delta e lumit të Perlave është një nga zonat me qarkullimin më të madh në botë, ku udhëtojnë çdo ditë rreth 4 mijë anije, një pjesë e urës kthehet në një tunel nënujor të gjatë 6.7 kilometra.

Tuneli i ka daljet në dy ishuj artificialë, secili prej 100 mijë metrash katrorë, të cilat janë ndërtuar posaçërisht për këtë qëllim.

Kur të hapet për qarkullim, mjetet do të udhëtojnë me një shpejtësi prej 100 kilometrash në orë, ndërsa sa i takon drejtimit të lëvizjes ai do të kombinohet sipas rregullave të secilit vend. Kjo do të thotë se në Hong Kong dhe Makao, qarkullimi do të kryhet nga e majta.

Pin It