Urtësia e përgjithshme që duket në gjithësi

Në gjithësi vërejmë një urtësi që e rrethon gjithçka. Në çdo gjë vëzhgohet një dobi, interes, përfitim dhe një qëllim përfundimtar.

Po qe se vë re për një çast, njeriu do të dallojë menjëherë te vetja një sërë kuptimesh dhe urtësish. Në qoftë se trajtohen një e nga një elementët që e përbëjnë atë si një e tërë, do të shihet se qoftë edhe një atom i vendosur tek ai nuk është i panevojshëm e i kotë.

Edhe gjithësia që është një njeri i madh, është e pajisur, kështu, me urtësi. Kjo shkon gjer atje sa në të gjithë këtë ekzistencë nuk mund të gjendet mungesë kuptimi as sa një krah mize! Edhe në një gjethe peme të palëvizshme që na duket neve si e padobishme, janë të fshehura shumë e shumë dobi që s’mund t’i dimë! Në të vërtetë, Zoti nuk është i detyruar t’i krijojë këto kështu, por kjo është domosdoshmëri e emrit dhe atributit të Tij Hakim, i Urtë.

Sigurisht, nga makrobota në botën subjektive e, prej aty në mikrobotë, vërehet një urtësi dhe qëllimshmëri që përfshin gjithçka. Ndërkaq, njeriu që zotëron denjësinë për të qenë, mes këtyre botërave, qenia më e përkryer dhe krijesa më e zgjedhur, ndërsa në këtë botë është i pajisur me mijëra urtësi vetëm në aspektin material e trupor, nuk mund të jetë një i mjerë i ardhur në këtë botë për katër-pesë ditë dhe i dënuar me vdekje për të mos u ringjallur edhe një herë tjetër më!

Ndërsa kjo botë, e cila nuk i përgjigjet e nuk e kënaq dot atë qoftë edhe në aspektin material, nuk mund të mendohet që t’u përgjigjet aftësive e mundësive të tij gjithëpërfshirëse si imagjinata dhe ndjenja e pavdekësisë. Meqë e pranuam që në krye se te njeriu asnjë ndjenjë nuk është krijuar pa qëllim e pa kuptim, njeriu i cili nuk mundet t’i realizojë në këtë botë ndjenjën dhe dëshirën e pavdekësisë dhe të ekzistencës së përjetshme, gjithsesi do t’i plotësojë në një botë tjetër këtë ndjenjë dhe dëshirë të dhënë atij mbështetur mbi një urtësi!

“A mos pandehët ju se ju krijuam kot, si një lojë dhe dëfrim dhe se nuk do t’ju kthejmë prapë? I lartë është Allahu, i vetmi sundues! Nuk ka zot tjetër veç Tij. Ai është Zoti i Arshit të madh (që e rrethon tërë gjithësinë, që është burimi i jetës së gjithësisë)!” (Muminun, 23/115, 116)

Për çdo vlerë të kësaj bote e që ekziston në këtë botë, është vënë një njësi llogaritëse, një kriter ose etalon që të mund ta masë. Por jo për mendjen, shpirtin, ndjenjën, arsyen dhe përfundimet e tyre. Ne nuk kemi në dorë ndonjë kriter që të mund ta masë produktin e mendjes. Por kemi kritere dhe peshore për të matur dhe peshuar ushqimet që hamë e pimë. Veç kësaj, këto objekte kanë edhe vlerën e tyre monetare sipas kursit monetar të vendeve të ndryshme. Sipas këtyre vlerave bëhen eksporti dhe importi. Po kështu, ne mundemi ta peshojmë dhe vlerësojmë edhe një copë dheu, madje.

Por nuk ka ndonjë kriter apo njësi për të matur, peshuar dhe vlerësuar një zgjuarsi dhe inteligjencë të madhe. Për shembull, mendjet e mëdha si Shekspiri apo Hygoi nuk e kanë marrë dot në këtë botë produktin ose shpërblimin e mendjes së tyre. Kjo është ana sipërfaqësore e çështjes. Por le ta trajtojmë çështjen edhe në planin serioz dhe të mendojmë zgjuarsinë e një profeti. Për shembull, le të mendojmë produktet e mendjes dhe të ndjenjave transcendentale të profetit Muhamed (s.a.s.). Veçanërisht le të mbledhim bashkë ndjenjat e të gjithë profetëve dhe të mbajmë parasysh se për këta nuk është vënë ndonjë kriter apo peshore. Ky mendim dhe meditim do të na çojë ne në këtë përfundim: Do të vihet një peshore ku do të peshohen këto ndjenja! Po të mos bëhet këtu kjo, është jashtë çdo diskutimi se do të bëhet në një botë tjetër!

“Ditën e kiametit, Ne do të ngremë peshoret e drejtësisë dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi. Njeriu do të marrë shpërblimin e punës së tij edhe sikur ajo të jetë sa një grimcë. Ne mjaftojmë si llogarimarrës!” (Enbija, 21/47)

Siç u pa edhe në ajet, në këtë botë nuk ka ndonjë peshore që të mund ta peshojë botën e brendshme të njeriut. Ne nuk mundemi ta peshojmë ose masim produktin e një ndjenje që zhvillohet në çdo thellim drejt brendësisë së vetvetes. Ne nuk njohim ndonjë peshore që të mund t’i peshojë e masë ndjenjat njerëzore si e fshehta, enigma dhe sekreti, shumë e shumë ndjenja të larta që e bëjnë njeriun të ikë nga njeriu, nga bota dhe lëndësorja dhe të vijë në gjendje të tillë që të mos jetë i kënaqur me asgjë dhe me asnjeri veç Zotit. Madje shumë herë, edhe njerëz të mbushur plot me këto ndjenja nuk e njohin dot natyrën e tyre. Në është kështu, atëherë do të vijë një ditë e quajtur ahiret, jeta e pasme, kur do të ngrihet një peshore që do t’i masë edhe të gjitha këto ndjenja të larta. Dhe matja do të jetë e tillë që “do ta ndajë qimen në dyzet pjesë”! Ndërsa ka peshore për anën e jashtme e materiale të njeriut, nuk është vënë ndonjë kriter, njësi matjeje ose peshore për botën e brendshme të njeriut që është më e shkëlqyer e më e lartë! Dhe, meqë në këtë botë nuk bëhet matja dhe vlerësimi i botës së brendshme, do të bëhet në botën tjetër!

Edhe sikur të mos ketë asnjë shkak për ringjalljen, ka patjetër nevojë për një rilindje dhe për një gjykatë të lartë ku njeriut, i cili ka merituar krijimin e përsosur, t’i peshohen dhe vlerësohen punët dhe ku të mund të gjejë vlerën e tij të vërtetë! Në fakt, asnjë nevojë dhe domosdoshmëri nuk e kushtëzon Zotin. Por, duke dalë në rrugë nga emri i Tij Hakim, i urtë e gjykatës, ecim me anë të arsyetimit të favoreve të këtushme dhe, në fund, arrijmë te e vërteta se ringjallja, llogaridhënia dhe jeta tjetër do të ndodhin!

Çdo njeri që i shqyrton materiet dhe dukuritë, do të shohë në to vulën e Zotit dhe, në përfundim të meditimit objektiv dhe subjektiv, do të arrijë në këtë përfundim: “Ai që s’më lë mua këtu pa qëllim, gjithsesi s’do të më lërë pa qëllim edhe pasi të hyj në varr dhe, ashtu siç e ringjall bimësinë në pranverë, do t’i ringjallë në një jetë të re molekulat e mia të kthyera në fara dhe do të hapë një gjyq të lartë!”

Pin It