“Vdes siç vdes një vend”, Teatri Kombëtar hap sezonin e ri artistik

Teatri Kombëtar do të çel sezonin e ri artistik 2017-2018, me dramën “Vdes siç vdes një vend”, me autor Dimitris Dimitriadis, e përkthyer nga Eleana Zhako.

Vepra do të vihet në skenë nga regjisorja Rozi Kostani, premierë absolute në datat 21-22-23-24 Shtator, ora 19:00. Në role, Kostani ka përzgjedhur të interpretojnë Alfred Trebicka, Rozi Kostani, Violeta Trebicka, Ina Morinaj, Benada Mulla, Silvio Goskova, Lejda Çeli, Artan Skenderasi, Kesina Lami, Arlid Stafa, Armando Mehmeti, Jona Hoxha.

“Vdes siç vdes një vend’’ është analiza letrare e një shoqërie në krizë identiteti. Ndonëse në tekst nuk përcaktohet koha dhe hapësira gjeografike, çka i jep veprës frymë universale, detaje nga mitologjia greke, feja dominuese dhe jehona e ngjarjeve politike të ’67-ës në Greqi, lënë të kuptohet se bëhet fjalë specifikisht për këtë të fundit. Dimitriadis i vesh vendit tipare antropomorfike. Atdheu, fjalë që në gjuhën greke i përket gjinisë femërore, portretizohet si një grua që mbart të gjitha plagët historike, politike, sociale dhe ekonomike të vendit.

Kemi të bëjmë me një shoqëri së cilës i ka humbur busulla: pas ndryshimeve radikale të sistemit, daljes nga diktatura dhe përqafimit të asaj që besohet se është demokracia, ballafaqohemi me një gjendje liminaliteti. Ky vend nuk përket më në të shkuarën paçka se s’ia ka dalë të shkëputet tërësisht prej saj. Nga ana tjetër, ai as përpiqet për një të ardhme më të drejtë e premtuese. Tradita e dhunës, mosfunksionimi i institucioneve shtetërore, fanatizmi fetar dhe ideologjik, mendësia nacionaliste, patriarkalizmi dhe kriminaliteti, kanë hapur një purgator të rrethuar me hekura. Në këtë rrëfim postmodern, autori nuk jep zgjidhje. Ai vetëm përshkruan duke zgjedhur një gjuhë të fortë, të rrëmbyer dhe tronditëse po aq sa realiteti nga i cili merr nxitjen. Ky libër është parabola e një vendi që vdes, pasi refuzon të pranojë tranzicionin e tij. /ATA/

Pin It