Këshilla, gjithçka që duhet për një vit të ri shkollor të suksesshëm

Fillimi i mbarë është gjysma e punës thonë. U bë pothuajse dy javë që shkollat kanë filluar procesin mësimor e duket sikur në nisje ka nevojë për disa këshilla.

Kërkimet rendisin disa këshilla shumë të rëndësishme për një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor. Midis tyre përfshihen kujdesi shëndetësor, gjumi i mjaftueshëm, ndihma me detyrat etj.

1 .Kujdesi shëndetësor

Para fillimit të shkollës duhet bërë një kontroll mjekësor i mirë, veçanërisht për kujdesin ndaj dhëmbëve. Një gjë e tillë është e nevojshme të bëhet rregullisht për t’u siguruar që fëmija juaj nuk ka probleme shëndetësore që mund të pengojnë mbarëvajtjen e tij në shkollë.

2 . Ushqyerja dhe aktiviteti fizik

Fëmijët duhet të ushqehen në mënyrë të shëndetshme, të konsumojnë fruta dhe perime, si dhe të bëjnë ushtrime të lehta për të qenë më produktivë në shkollë. Dieta e mirë dhe aktiviteti fizik ndikojnë në rritjen e përqendrimit në mësime.

3 . Gjumi

Fjetja e mjaftueshme para fillimit të shkollës, por edhe gjatë saj, do të ndihmojë fëmijët të zgjohen herët, të shkojnë në kohë në shkollë dhe të ndjehen energjikë për ditën e re të mësimit.

4 .Detyrat e shtëpisë

Në këtë proces shumë i rëndësishëm është edhe mjedisi, i cili duhet të jetë i qetë, i rregullt dhe i ndriçuar mirë. Detyrat nuk duhen lënë për në një orar shumë të vonë, por as menjëherë pas shkolle, kur fëmija nuk është çlodhur ende.

5 .Televizioni, kompjuteri, lojërat

Fëmijët do të kenë nevojë për ndihmën e prindërve për të zvogëluar kohën e kaluar para televizorit, kompjuterit ose në lojëra të ndryshme gjatë pushimeve verore. Ndryshimi i aktivitetit ditor mund të shoqërohet me disa vështirësi në fillim, pasi fëmijët mund të duan ende të argëtohen. Zgjidhja më e mirë është përgatitja e një orari që ndan kohë të mjaftueshme për mësimet dhe lojërat.

6 .Bisedat për shkollën

Interesi për shkollën, mësimet dhe shokët, ndihmojnë në ndjekjen e vazhdimësisë së fëmijës në shkollë. Nëse i pyesim ata se si ndihen në shkollë, në orët e mësimit, si kalojnë me mësuesit dhe shokët e shoqet, do të dimë t’i ndihmojmë më shumë.

7 .Të lexuarit

Njohja e fëmijëve me bibliotekën e shkollës ose të lagjes dhe nxitja për të lexuar sa më shumë libra jashtëshkollorë, ndihmojnë në zhvillimin e dijes dhe dëshirës për të mësuar.

8 . Të mësuarit

Shoqërimi i procesit të të mësuarit të fëmijës me shëtitje të shkurtra në natyrë, në muze, në park zoologjik, koncert, ose ekspozitë ndihmon në përvetësimin më të plotë të dijeve teorike dhe rritjen e dëshirës për të mësuar gjëra të reja.

Pin It