“Edukimi përmes kulturës”, nis nga Lezha programi për pasurimin e bibliotekave vendore

“Edukimi përmes kulturës” do të jetë prioritet i kësaj qeverie! Kështu u shpreh ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro nga Lezha, gjatë aktivitetit për dhurimin e librave zhvilluar në Biblioteken Publike “Gjergj Fishta” të këtij qyteti.
Kumbaro u prit në këtë aktivitet nga “Kampionët e leximit”, nxënësit nga fshati Blinisht dhe qyteti i Lezhës nga ku nisi programi i Ministrisë së Kulturës për pasurimin e bibliotekave vendore dhe shkollore. “Kampionët”, që kanë lexuar 25 librapër një muaj janë fëmijë të moshës 6-14 vjeç të zonave të largëta rurale të Lezhës.

“Edukimi përmes kulturës, përmes leximit, mbetet një nga prioritetet e kësaj qeverie dhe i Ministrisë së Kulturës. Libri ushqen mendjen. Të ushqesh mendjen është tolerancë, emancipim, zhvillim. Të dhurojmë libra dhe të vazhdojmë traditën e kësaj zone që është e njohur për figurat e shquara në krijimtari, ku mes të cilëve do të doja të përmendja poetin tim të dashur dhe mbi të gjitha njeriun me mendje të bukur, Ndoc Gjetja”, tha Kumbaro.

Ministrja, e cila do të jetë sërish në krye të kulturës në këtë mandat të dytë të qeverisë Rama vuri në dukje krijimin e bashkëpunimit të Ministrisë së Kulturës me bashkitë, nismë e cila fillon me Lezhën dhe zhvillohet në kuadër të programit “Edukimi përmes Kulturës”.

“Prej shumë vitesh bibliotekat vendore kanë qenë jashtë vëmendjes së bashkive. Arsyeja pse e nisëm këtë projektnga Lezha, është se në këtë bibliotekë gjetëm dashuri për librin. Prandaj edhe e mirëpritëm projektin e Lezhës “Biblioteka lëvizëse”. Në të gjitha programet e Ministrisë së Kulturës prioritet mbetet lexuesi. Nëse nuk kemi lexues, nuk kemi autor, nuk kemi, përkthyes, nuk kemi botues”- u shpreh Kumbaro në fjalën e saj.

“Ka një qasje të re të institucioneve të kulturës , andaj jam shumë e gëzuar që nisim sot një marrëdhënie bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës”- u shpreh drejtoresha e Bibliotekës Publike Lezhë, Suela Bala.

“Shkrimtari im i parapëlqyer je ti Njeri, me shpirt të bukur njerëzor, që do te jetosh në të nesërmen e të ardhmes”- u shpreh Xhoana Gjokaj, nxënësja fituese e esesë më të mirë.

Titujt e librave që u dhurohen nga fondi i Ministrisë së Kulturës janë përzgjedhur nga një kolegjium ekspertësh të jashtëm në përgjigje të nevojave të lexuesit. Projekti do të vazhdojë edhe në bibliotekat e Vlorës, Shkodrës, Fierit, Korçës dhe Elbasanit.

Zhvillimi i fushatës së leximit në mbarë vendin në tetor të vitit 2016, evidentoi gjithashtu Bibliotekat vendore më aktive në vend, me një shërbim profesional dhe të përkushtuar, si Biblioteka qendrore e qytetit të Lezhës, fituese në rang kombëtar për projektin “Biblioteka lëvizëse”, Biblioteka Publike e Vlorës “Shefqet Musaraj”, Biblioteka Publike “Marin Barleti”, Shkodër, Biblioteka Publike “Thimi Mitko”, Korçë, Biblioteka Publike “Qemal Baholli”, Elbasan. Këto biblioteka, si pjesë e kalendarit të gjerë të aktiviteteve, jo vetëm dëshmuan gatishmëri të stafeve përkatëse për punën me librin dhe për përthithjen e lexuesve, sidomos lexuesve të rinj, por gjatë monitorimit të aktiviteteve përkatëse u konstatuan edhe kushte të mira shërbimi dhe hapësire fizike për librat.

Projekti i Ministrisë së Kulturës është vijueshmëri e nismave të ndërmarra në këto katër vite për pasurimin e bibliotekave vendore dhe shkollore. Vitin e kaluar, në kuadër të Fushatës së leximit “Takohemi për një libër”, u hartua edhe projekti për mbështetje të bibliotekave vendore të qytetit të Tiranës.

Në takimin për dhurimin e librave zhvilluar në Bibliotekën Publike të qytetit të Lezhës merrnin pjesë edhe nënkryetarja e Bashkisë së Lezhës,  Alfrida Dedgjonaj, Drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale, Lezhë, Bardhok Pulaj, botues, krijues dhe nxënës që ndoqën aktivitetin në kuadër të programit “Orë letrare në Bibliotekë ”. /a.a/ /a.g/

Pin It