VISARE SHQIPTARE – SPEKTAKLI QË NA OFRON TURIZMI I VJESHTËS

1

Visare Shqiptare këtë të enjte solli një atmosferë të këndshme vjeshte. Ishim në studio me koordinatoren e mediave të Unionit Turistik Shqiptar, Flora Xhemani Baba. Sollem për dëgjuesit tanë mundësitë që ofron Shqipëria në sezonin turistik të vjeshtës.

Vjeshta deri pak kohë më parë është parë si një stinë e fjetur, por sëfundmi po shikohet si një periudhë ku bëhet turizëm, është më e qetë dhe nganjëherë më e bukur se vera, kështu e filloi bisedën e ftuara jonë.

Klima dhe infrastruktura e cila është më e lirë krahasuar me verën janë dy nga avantazhet e kësaj stine. Ky turizëm është i përqëndruar kryesisht tek natyra, destinacionet kulturore dhe gastronomia.

E pyetur për vendet më të favorizuara në këtë stinë, koordinatorja tha se janë zonat që kanë në gjirin e tyre parqe kombëtare, kryesisht Alpet e Shqipërisë si dhe zonat e juglindjes pasi ngjyrat ndryshojnë kryekëput dhe ofrojnë një spektakël ngjyrash.

E ftuara jonë dha disa sugjerime se ku mund të shkohet në këto ditë vjeshte. Ajo tha se Tirana është një mundësi e mirë , ku mund të shijosh freskinë e malit të Dajtit shoqëruar me një piknik. Po afër Tiranës mund të shkohet në kepin e Redonit, në ferma agroturistike të cilat i gjen rreth e përqark Tiranës. Pak më sipër mund të shikohet laguna e Patokut, apo e Vainit në Laç dhe në Lezhë.

‘’Nëse do të zgjidhnit Krujën, mos u mjaftoni me një xhiro në pazar apo me një vizitë në muze, mund të shkohet edhe në Qafshtamë dhe kështu bëheni më eksplorues’’, sugjeroi  më tej Flora.

Përsa i takon juglindjes, vjeshta është e mrekullueshme, u shpreh ajo. Një nga segmentet që të mahnit në këto ditë vjeshte është Levan-Tepelen-Permet-Gjirokastër-Sarande.

Ndërsa përsa i përket pjesës veriore, Flora tha se Alpet në këtë sezon e shtojnë magjinë. Agjensitë e ndryshme janë duke bërë një punë goxha të mirë duke inkurajuar turizmin vendas, me paketa turistike disa ditore me të cilat bën një tur të plotë.

Gjatë sugjerimeve të saj Flora tha se mënyra më e bukur për ta konsumuar turizmin e vjeshtës është kundrimi i zogjve nëpër laguna. Këtë mund ta provosh në Divjakë apo në lagunën e Nartës me një palë dylbi në qafë ku ngelesh pa fjalë nga paqja dhe harmonia e zogjve .Eshtë një terapi shplodhëse krejtësisht natyrale tha e ftuara jonë.

Krahas vendeve që mund të shkohet në vjeshtë sollëm në vëmendje edhe gastronominë e vendit tonë. Me kalimin e kohës çdo gjë i afrohet të thjeshtës, natyrales. Pula e fshatit me oriz, perimet e zgarës dhe gatime të tjera me bazë shqiptare të bëjnë të lëpish gishtat. Në këtë stinë vilen të gjitha frutat dhe perimet të cilat mund të bëhen zahire për dimrin, tha e ftuara jonë.

Vjeshta të indukton dëshirën për të shkuar për t’i mbledhur vet në pyll apo në fshat për ta ndjerë natyrën sa më afër. Eshtë stina që anon nga natyralja dhe agroturizmi.

Në studion e visareve u fol gjithashtu edhe për turizmin e eksperiencave. Flora Baba na tha që ky turizëm i ri të sugjeron jo më luksin, por të jetosh si vendasit të shikosh si zonja e shpisë zë bukën, si bëhet lakrori në Korcë, apo si bëhet mishi në saç në Leskovik, apo tundja e qumështit në dybekun e vjetër. Pra të shikosh nga afër sesi ështe jeta e njerëzve që të ofrojnë këtë ushqim dhe agroturizëm. Të huajt janë ta që më së shumti e pëlqejnë këtë turizëm, ata e pëlqejnë perden me grep, mbulesën e tavolinës me copë të thurur, mbulesën e krevatit me velenxa, qilimat e dikurshëm të thurur në tezgjah apo pulën e therur në oborrin e shtëpisë.

Në fund të emisionit Flora sugjeroi të mos rrimë gjithë ditën në shtëpi, apo në rrjetet sociale, por të marrim çfarëdo lloj mjeti qoftë edhe një biçiklet dhe të jemi sa më pranë natyrës. Kjo është më e mira për trurin, shpirtin, dhe shëndetin.

 

 

Pin It