Vlera e 10 ditëve të Dhulhixhes

10 ditët e muajit Dhulhixhe përmenden në Kur’an dhe për këtë arsye kanë një vlerë shumë të madhe.

Në suren (Fexhr, 1-3).  “Betohem në agimin, betohem në dhjetë netët, betohem në çiftin dhe tekun…” I dërguari i Allahut për këtë ajet të Kur’anit sqaron: “Dhjetë ditët (netët) janë ditët e kurbanit (të muajit Dhul Hixhe), “teku” është dita e Arafatit, ndërsa çifti dita e kurbanit.”

Ndërsa në një hadith tjetër thuhet: “Veprat e mira nuk marrin vlerë më të madhe seç mund të kenë në ditët e Dhul Hixhes.” Njerëzit  pyetën: As përpjekja në rrugë të Allahut? Profeti a.s. u përgjigj: “As përpjekja në rrugë të Allahut, vetëm nëse në këtë përpjekje personi niset me pasurinë dhe jetën e tij dhe nuk kthehet me asnjërën prej tyre.” (Buhariu)

Vepra më e mirë gjatë këtyre ditëve është falja e namazit në kohën e tij. Kur Profeti a.s. ishte pyetur nga shokët e tij për punën më të mirë, pati thënë: “Falja e çdo namazi në kohën e tij”. Të njëjtën vlerë namazit i jep edhe ajeti kuranor: “Besimtarë (të vërtetë) janë ata që tregojnë kujdes në namazin e tyre.”

Me rëndësi pas namazit të detyruar është falja e namazeve vullnetare ose nafile (sunet), kështu që një mysliman duhet t’i kushtojë rëndësi edhe këtij adhurimi, sepse ai e ngre më lart pozitën e tij te Krijuesi. Allahu i Madhëruar thotë në një hadith kudsij: “Robi im nuk mund të afrohet tek Unë me diçka siç mund të afrohet me kryerjen e farzeve, dhe robi Im vazhdon të afrohet më shumë tek Unë duke kryer namazet vullnetare, të pëlqyeshme, deri sa Unë ta dua atë…”

Kur një nga shokët e të dërguarit të Allahut a.s. e pyeti se ç’punë duhet të kryejë që të jetë shoqëruesi i tij në Xhenet, ai e porositi: “Bëj sa më shumë sexhde (falje vullnetare) për të ndihmuar lutjen time.”

Një nga veprat e lavdëruara në këto ditë është edhe agjërimi. Shumica e dijetarëve kanë thënë se agjërimi i ditëve të Dhul Hixhes është shumë i vlefshëm. Prej tyre veçohet dita e Arafatit, për të cilën Allahu betohet në Kur’an: “Pasha tekun”. Kjo ditë preferohet të agjërohet nga të gjithë, duke përjashtuar personat që janë në haxh.

Për agjërimin e kësaj dite i dërguari i Allahut a.s. është shprehur: “Shpresoj që Allahu të m’i ketë falur mëkatet e vitit të kaluar dhe të vitit që vjen.” (Muslimi)

Këtu do të përmendim edhe një tjetër vepër të lavdëruar. Bëhet fjalë për respektimin e prindërve. Kësaj mirësie Allahu i ka dhënë rëndësi të veçantë duke e renditur menjëherë pas njehsimit dhe adhurimit të Tij: “Zoti yt ka urdhëruar të mos adhurosh tjetër veç Tij dhe me prindërit të sillesh mirë”.

Gjatë këtyre ditëve preferohet përmendja e shpeshtë e Allahut. Përmendja e Allahut pëlqehet në çdo kohë, por në këto ditë ajo është akoma më e pëlqyer. Në mënyrë të veçantë do ta vinim theksin në përsëritjen sa më shumë të tekbirit (Allahu Ekber), Tehlilit (La ilahe il`Allah), dhe Tahmidit (Elhamdulilah). Allahu i Madhëruar thotë: “A nuk qetësohen zemrat me përmendjen e Allahut?!” Kur’ani na nxit që ta përmendim sa më shumë Allahun: “Dhe kujtojeni Allahun në ditët e caktuara”; këto ditë janë ditët e haxhit.

Pendimi gjithashtu është më se i nevojshëm në këto ditë. Jo vetëm që llogaritet për mirë, por është dhe vendimtar, për shkak se ai ka si shpërblim faljen e mëkateve nga Allahu i Madhëruar. Në Kur’an lexojmë: “Thuaj: O robërit e Mi të cilët e keni ngarkuar veten me mëkate, mos i hiqni shpresat nga mëshira e Allahut. Vërtet, Allahu i fal të gjitha mëkatet. Ai është Mëshirues dhe Falës i Madh.” (Zumer, 53)

Profeti a.s. i ka nxitur besimtarët që këto kohë të begata t’ia kushtojnë adhurimit të Allahut, me qëllim që të pastrojnë shpirtrat prej mëkateve e të meritojnë mirësinë e shpërblimit prej Tij. Këto adhurime mund të kryen edhe në ditë të zakonshme, por shpërblimin më të madh e kanë në këto ditë.

Kujtojmë se në diëne e Arefesë duke filluar me faljen e sabahut deri në ditën e 4-t të  Kurban Bajramit në kohën e ikindisë thënia e tekbirit të teshrikut është vaxhib.

Pin It