Është përuruar sot në qytetin e Korçës Muzeu Mesjetar, ku janë vendosur 400 ikona të ruajtura ndër vite, pjesa më e madhe e të cilave të panjohura më parë.
I pranishëm në ceremoninë e përurimit ishte edhe kryeministri i vendit Edi Rama, i cili pasi përgëzoi të gjithë ata që kishin bërë të mundur ruajtjen e kësaj trashëgimie të pashlyer dhe të papërsëritshme, theksoi se ky muze është një nga më të rëndësishmit në rajon për nga vlerat që mbart dhe një aset i shtuar për qytetin e Korçës dhe vendin.
Sipas kryeministrit, me gjithë mundësitë e kufizuara qeveria e tij i ka dhënë prioritet të veçantë rilindjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe ka bërë në këtë fushë për tre vjet aq sa nuk është bërë në 25 vjet së bashku.
“Sot edhe pse jemi një vend që nuk i ka të pakufizuara mundësitë financiare dhe kemi kaluar përmes një faze të vështire për të dalë nga një krize e thellë nga çdo sektor, edhe pse na është dashur të shlyejmë shumë borxhe ne kemi bërë për trashëgimin kulturore aq sa nuk është bërë në 25 vite së bashku.
Në të njëjtën kohë, kur nisëm punën tonë, jo vetëm ky muze priste dorën e qeverisë, por dy qytete muze të Shqipërisë, Gjirokastra dhe Berati kishin hyrë në listën e zezë të UNESCO-s dhe konsideroheshin si pasuri në zhdukje. Sot këto qytete nuk janë më në listën e zezë”, tha Rama.