Vlahutin: Lufta ndaj ekstremizmit të dhunshëm është përgjegjësi ndaj të rinjve

vlahutin

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin, tha se ekstremizmi i dhunshëm është një fenomen global që duhet luftuar së bashku dhe përmes ndërtimi të shtetit ligjor. Vlahutin theksoi se një shtet që dëshiron të bëhet pjesë e BE-së duhet të ofrojë një jetë më të sigurtë për qytetarët e vet.

Gjatë konferencës së mbajtur në Tiranë për “Parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, Vlahutin tha se fenomeni është global dhe e tillë është edhe përgjegjësia, prandaj duhet bashkëpunim për ta parandaluar.

“Ekstremizmi është fenomen global, duhen masa për ta parandaluar. Vendet e BE kërkojnë bashkëpunim për ta parandaluar. Ekstremizmi i dhunshëm është sfidë që duhet luftuar”, tha diplomatja e BE-së në aktivitetin e mbajtur sot në Tiranë.

Vlahutin vlerësoi harmoninë fetare në vendin tonë, por tha se  Shqipëria duhet të luftojë krimin dhe korrupsionin për të përfituar nga procesi i integrimit në BE dhe për të ofruar një jetë më të sigurtë për të rinjtë.

“Ekstremizmi i dhunshëm ka lidhje edhe me të rinjtë. Kemi përgjegjësi për të kuptuar se si procesi i anëtarësimit në BE mund të shërbejë për ecjen përpara të Shqipërisë. Njerëzit nuk duan një qeveri të korruptuar e të lidhur me krimin, por duan ndryshim që nevojitet për çdo shtet që kërkon të bëhet pjesë e BE. Duhet të ekzistojë një plan sesi ta bëjmë jetën më të sigurt për qytetarët. Për ekstremizmin ka shumë punë për t’u bërë”, tha ajo.

Pin It