Anëtarësimi,bizneset do të paguajnë 22 milionë euro për Dhomat e Tregtisë

blloku_0

Janë rreth 151 mijë biznese që do të jenë të detyruara nga 1 janari, që të paguajnë për anëtarësimin e detyrueshëm në Dhomat e Tregtisë, pas miratimit të ligjit të ri të Dhomës së fundmi nga Kuvendi. Sipas të dhënave të INSTAT, për “Ndërmarrjet  aktive sipas qarqeve  dhe formës ligjore”, deri në fund të vitit 2015 ishin rreth 133 mijë biznese persona fizikë dhe juridikë të regjistruar në vend (përjashtuar fermerët). Duke shtuar dhe rreth 18 mijë biznese që janë hapur këtë vit, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, në total numri i tyre është në rreth 151 mijë.

Rreth 121 mijë biznese janë persona fizikë, që do të paguajnë nga 1000 lekë në vit, sipas përcaktimit në ligjin e ri, pra rreth 900 mijë euro.

Barrën më të lartë do ta kenë subjektet juridike, që do të detyrohen të paguajnë është jo më pak se 3. 000 (tremijë) lekë dhe jo më shumë se 100. 000 (njëqindmijë) lekë, pa dhënë një përcaktim të qartë se si do bëhet ndarja, por duke ia lënë në dorë Asamblesë së dhomës sipas kategorizimit.  Janë rreth 30 mijë subjekte juridike në vend, sipas INSTAT, që do të duhet të paguajnë maksimalisht deri në 2.9 miliardë lekë, apo rreth 21 milionë euro.

Në total, nëse të gjitha bizneset do të paguanin për anëtarësimin e detyrueshëm në dhomën e tregtisë, ata do të shpenzonin më tepër maksimumi rreth 3 miliardë lekë, apo 22 milionë euro në vit, krahas detyrimeve të tjera që i paguajnë shtetit. Gjysmën e kësaj shume për dhomat, pritet ta paguajnë bizneset e Tiranës, ku janë të përqendruara 50% e subjekteve juridike dhe 37% e personave fizikë.

Teksa sipas të dhënave të buxhetit 2015, rezulton se të ardhurat nga tatim fitimi ishin rreth 25 miliardë lekë (rreth 181 milionë euro), taksa e re e fshehtë e shtuar për bizneset për anëtarësimin e detyrueshmën në dhoma do të jetë sa rreth 12% e tatim fitimit që ata paguan në 2015-n. (Monitor)

Pin It