Kryetari i komisionit parlamentar për çështjet Europiane në Bundestagun Gjerman dhe përfaqësuesi i grupit më të madh parlamentar në Bundestag, Gunther Krichbaum, tha se grupi i tij parlamentar CDU nuk do të miratojë hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Gjatë një konference për shtyp në Tiranë Krichbaum tha se arritjet e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së nuk janë të mjaftueshme dhe kushtet nuk janë përmbushur ende. Zyrtari gjerman tha se reforma zgjedhore dhe dekriminalizimi nuk janë realizuar ende ashtu si duhet.
“Pa u përmbushur kushtet, bisedimet nuk hapen, – tha Krichbaum. – Pa marrë një votë nga Bundestagu gjerman, kancelarja Merkel nuk mund të shprehet për një votë pro çeljes së negociatave për anëtarësimin e një vendi në Bashkimin Evropian. Ne duam që Shqipëria të aderojë sa më shpejt në procesin e integrimit dhe ne mbështesim Shqipërinë në rrugën e tyre drejt BE-së, sepse përmes këtij procesi ne presim forcimin e shtetit të së drejtës, mirëqenies dhe demokracisë”.
Krichbaum shtoi se hyrja e Shqipërisë në BE është në interes të Gjermanisë, por vendi i tij do ta mbështesë atë vetëm pas krijimit të kushteve, pasi shteti i së drejtës është shumë i rëndësishëm.
“Për çeljen e bisedimeve duhen krijuar kushtet, 5 prioritet kyçe nuk janë plotësuar akoma. Ndaj ne propozojmë mosçeljen e bisedimeve, – tha kreu i Bundestagut gjerman. – Nëse këto pritshmëri do të përmbushen deri në publikimin e raportit të radhës, deri në pranverë 2017, nuk do të jetë e mundur që asnjë forcë politike të bllokojnë ecjen drejt anëtarësimit në BE. Nga ana tjetër, edhe korrupsioni është një sistem i përhapur në shumë sektorë, sidomos në polici dhe prokurori, ku më shumë preken më të varfrit, ndaj lufta ndaj korrupsionit është dhe testi më i fuqishëm për të prodhuar shtetin e së drejtës”.
Sipas dokumentit të prezantuar nga zyrtari gjerman, kriteret që duhen përmbushur janë këto:
- Reforma në administratën publike, e cila duhet të provohet në praktikë për të treguar se sa i qëndrueshëm është zbatimi i ligjeve të miratuara.
- Reforma në drejtësi, e cila duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të plotë me qëllim forcimin tërësor të nivelit të profesionalizmit dhe integritetit në fushën e drejtësisë.
- Lufta ndaj korrupsionit nëpërmjet Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, e cila duhet të jetë e pavarur nga kontrolli dhe ndikimi i politikës, duhet të shënojë arritje të konsiderueshme.
- Lufta kundër krimit të organizuar – të rritet ndjeshëm numri i dënimeve me vendime të formës së prerë, të forcohen dukshëm përpjekjet për luftën ndaj krimit të drogës dhe të shënohen suksese të prekshme.
- “Prioriteti kyç” në fushën e të drejtave të njeriut, masave kundër diskriminimit dhe realizimit të së drejtës së pronës.
- Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në lidhje me reformën zgjedhore të zbatohen deri në zgjedhjet e qershorit 2017, të cilat duhet të përmbushin standardet europiane.
- Ligji për Dekriminalizimin e Parlamentit dhe institucioneve qendrore e vendore, i cili duhet të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme e të plotë.