“Vrasje në Venecia”, një novelë për shqiptarofobinë

mira-meksi

Shkrimtarja Mira Meksi vjen për lexuesit me librin më të ri “Vrasje në Venecia”, i cili trajton temën shqiptarofobisë dhe jetës së refugjatëve shqiptarë nëpër botë. Libri, i cili është botuar nga shtëpia botuese Onufri, është një novelë policeske me elemente nga legjendat.

Në qendër të novelës është shqiptari Adrian Gjergji i akuzuar për vrasjen e të dashurës së tij Anila Duka. Krimi ka për dëshmitar Fantino varkëtarin, i cili një mesnatë fundnëntori pranë urës së Turkeshëzave në Venecia sheh pamjen e tmerrshme: imazhi i një djaloshi të pashëm mbi urë, i cili nxjerr nga pelerina e zezë kokën e prerë të një gruaje të re shumë të bukur, që çurkon gjak.

Policia italiane do të hetojë ngjarjen e koduar si “Koka e Meduzës”, ndërsa ngjarjet zhvillohen në mënyrë befasuese dhe të pashpjegueshme, të përshkuara edhe nga dukuria e shqiptarofobisë.

Libri gjendet në shitje që prej datës 24 gusht dhe është shpërndarë në librari. “Vrasje në Venecia” vjen pas disa romaneve të shkrimtares dhe përkthyeses Mira Meksi si “Frosina e Janinës”; “Porfida – Ballo në Versailles”, “E kuqja e demave”, “Mallkimi i Priftëreshave” dhe përmbledhjeve me tregime: “Mali i shpirtrave”; “Buzë të panjohura gruaje”; Zonja plakë e Parisit” etj.

Pin It