Ujësjellës Kanalizime Tiranë rezulton ndër bizneset më fitimprurëse midis kompanive shtetërore dhe private gjithashtu. Sipas Monitor, UKT regjistroi normën e fitimit bruto në masën 23% për vitin 2015, duke i sjellë shtetit 686 milionë lekë fitim nga taksat.
Referuar fitimit vjetor, UKT renditet e katërta midis kompanive shtetërore pas OSHEE, KESH dhe OST, ndërsa e 22-ta mes 200 kompanive me fitimet më të mëdha në vend për vitin 2015. Sipas të dhënave nga tatimet gjatë vitit 2015 UKT shënoi një rritje të fitimeve me 30% krahasuar me vitin 2014, ndërsa xhiroja vjetore arriti në 3 miliardë lekë ose 22 milionë euro.
Sipas bilancit të vitit 2014, vlera e aktiveve afatgjata materiale të UKT është 11.3 miliardë lekë, ndërsa vlera e huas afatgjatë të Ujësjellësit është 5.7 miliardë lekë.
Së fundmi Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njoftoi nxjerrjen në shitje të UKT, duke deklaruar se privatizimi i ndërmarrjes do t’i shërbejë furnizimit më të mirë të qytetarëve me ujë të pijshëm. Veliaj tha se Bashkia e Tiranës do të sigurohet të marrë ofertën më të mirë midis kompanive të interesuara.
Megjithatë nuk dihet se si do të ndikojë privatizimi i UKT në të ardhurat e pushtetit vendor dhe shërbimin ndaj qytetarëve. Aksionet e UKT-së zotërohen 82.5% nga Bashkia e Tiranës, 14.6% nga Bashkia e Kamzës dhe 2.9% nga Bashkia e Vorës.