Gjobë për shpërdorimin e ujit të pijshëm për ujitje

uji-gjoba-207x300

Shpërdorimi i ujit të pijshëm për vaditje do të ndëshkohet me gjobë deri në 50 mijë lekë. Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka nisur fushatën e ndërgjegjësimit të banorëve të kryeqytetit për të shmangur abuzimin me përdorimin e ujit të pijshëm për ujitje, lavazh etj.

UKT deklaroi se duke filluar nga ky muaj, qytetarët e Tiranës bashkë me faturën e ujit do të marrin edhe një broshurë informuese, e cila njofton qytetarët se shpërdorimi i ujit të pijshëm është vepër e ndëshkueshme me ligj.

Pas muajit gusht qytetarët apo bizneset që do të kapen duke ujitur hapësira të mëdha me ujë të pijshëm do të ndëshkohen me gjobë nga 5,000 lekë (familjet) deri në 50,000 lekë (sipërmarrje).

UKT sqaroi për Monitor se të gjithë qytetarët dhe bizneset, që duan të vadisin hapësira toke me qëllim bujqësor, duhet t’i drejtohen Ministrisë së Bujqësisë apo Bashkisë së Tiranës për të siguruar ujin për ujitje.

Sipas Kodit të “Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve” dhe Kodit Penal, neni 159, dënohen me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, të gjithë ata që:

-Lidhin apo ndërhyjnë pa leje në rrjetin e ujësjellësit për marrjen e ujit të pijshëm;

-Furnizohen me ujë të pijshëm pa pasur kontratë me UKT sh.a;

-Ndërtojnë objekte mbi tubacionet e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve;

-Përdorin ujin e pijshëm nga rrjeti i UKT-së për lavazhe, ujitjen e tokës bujqësore;

-Përziejnë ujin e pusit, apo të burimeve të tjera me ujin e pijshëm të furnizuar nga UKT;

-Ndërhyjnë tek ujëmatësi dhe dëmtojnë vulën e tij.

Pin It