Mesazhe ngushëllimi nga Shqipëria për Gjermaninë pas sulmit në Mynih

gt_munich_dc_160723_12x5_1600

Personalitete të ndryshme të politikës dhe jetës publike në Shqipëri janë solidarizuar me popullin gjerman dhe kanë dërguar mesazhe ngushëllimi drejtuesve të shtetit gjerman.

Pas sulmit në Mynih Presidenti i Republikës, Bujan Nishani i dërgoi një mesazh ngushëllimi presidentit gjerman Gauck në të cilin shpreh trishtimin e tij për familjarët e viktimave dhe të lënduarit.

“Aktet e djeshme ekstremiste dhe kriminale terroriste në Mynih, ku humbën jetën shumë qytetarë të pafajshëm dhe shumë të tjerë u lënduan, mes të cilëve edhe disa me kombësi shqiptare, më tronditën shumë. Me trishtim të thellë u shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve dhe të afërme të viktimave. Të lënduarve u uroj shërim sa më të shpejtë!”, shkruan Nishani në mesazhin drejtuar homologut gjerman.

Mesazheve të ngushëllimit i është bashkuar edhe kryeministri Edi Rama i cili shkruan në rrjetet sociale:

“Trishtim i thellë për jetët e humbura në sulmin barbar të Mynihut mes të cilave edhe jetë shqiptarësh! Solidaritet me Gjermaninë mike”.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, shprehu gjithashtu ngushëllimet e tij përmes një postimi në faqen e tij në rrjetin social Facebook. Bruçaj tha se duhet të bëhemi të forte përballë dhunës dhe së keqes për ta mundur atë së bashku.

“Ngushëllime familjarëve, të afërmve dhe miqve për jetët e humbura në aktin barbar në Mynih, ku kanë humbur jetën edhe shqiptarë.

Akte të tilla të cilat po ndodhin përherë e më shpesh nuk duhet të na gjunjëzojnë, përkundrazi duhet të bëhemi më të fortë, që e mira të triumfojë ndaj së keqes.

Por kjo forcë buron kur jemi bashkë, bashkë kundër terrorit, dhunës, bashkë kundër çdolloj ideje e veprimi që të çon në ekstremitet.

Edhe njëherë ngushëllime familjarëve dhe popullit gjerman. Lutem për shërim sa më të shpejtë të të lënduarve”, – shkruan kreu i KMSH-së.

Pin It