5 mln lekë gjobë për kompaninë që po ndërton fshatin turistik në Palasë

img-20170104-wa0011

Ministria e Bujqësisë dhe Inspektoriati Shtetëror i Ujërave kanë gjobitur me 5 milionë lekë kompaninë që po ndërton fshatin turistik në bregdet në Palasë. Sipas MB dhe ISHU kompania “Gjikuria” po dëmton bregdetin dhe ujërat detare tek Delta e Përroit të Thatë në Palasë, rrethi Vlorë.

ISHU pas verifikimit në vendngjarje deklaroi se kompania shfrytëzonte inertet pa leje, shkarkimet i kryente në det dhe mbushte bregun e detit për të përfituar sipërfaqe toke.

“Nga konstatimi i inspektorëve të Inspektoriatit Shtetëror të Ujrave, rezultoi se, kompania “Gjikuria”, merre pa asnjë leje shfrytëzimi inerte në breg të detit dhe i përdorte ato për ndërtim të fshatit turistik; nyja e përpunimit të inerteve ishte ndërtuar pranë bregut dhe të gjitha shkarkimet derdheshin në det, si dhe shoqëria në fjalë mbushte me inerte e mbetje të tjera tokën në breg të detit, për të përfituar sipërfaqe, në kundërshtim me ligjin,” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.

Pin It