Ndërrohet rrjeti i ujësjellësit në Kinostudio, Veliaj: Faleminderit që paguani faturat

veliaj-ne-rrugen-kahreman-ylli-1-640x427

Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) ndërroi rrjetin e ujësjellësit të zones së Kinostudios për shkak të amortizimit të tij ndër vite. Ky investim do t’iu shërbejë rreth 5 mijë banorëve të rrugës “Kahreman Ylli”, të cilët tashmë do të furnizohen rregullisht me ujë të pijshëm.

Rrjeti i ujësjellësit për këtë zonë kishte rreth 50 vjet pa u ndryshuar, duke shkaktuar dëmtimin e tubave dhe furnizimin me probleme të banorëve. Gjatë inspektimit të punimeve, kryebashkiaku Erion Veliaj, tha se investimi është përgjigje e faturave të paguara nga qytetarët.

“Falenderoj qytetarët që i janë përgjigjur thirrjes së ujësjellësit për të paguar faturat dhe likujduar borxhet. Kjo është e vetmja mënyrë se si këto pagesa i përkthejmë në investime. Për 5 mijë banorë të rrugës “Kahreman Ylli”, një pjesë të madhe të bllokut të ri të banesave në Kinostudio, shtojmë furnizimin me ujë, kalojmë nga tubat e gizës dhe çelikut, që kishin 50 vjet pa u vënë dorë dhe që arnoheshin dhe saldoheshin çdo vit, në një linjë magjistrale, e cila furnizon me ujë të bollshëm këtë zonë”, tha Veliaj.

Projekti është një bashkëpunim midis Bashkisë së Tiranës dhe UKT-së.

Pin It