BESIMI ËSHTË DRITË DHE FORCË

Njeriu vjen në këtë botë dhe jeton për një kohë të shkurtër; ndodhet në një shtëpi të rrethuar nga të gjitha anët e saj me dyer që në çdo moment mund të hapen dhe ai të dalë prej saj.

Njeriu jeton bashkë me të mirën dhe të keqen, ku mohimi jeton me besimin, drita jeton bashkë më errësirën. Dhe njeriut I takon të zgjedhë rrugën e tij në këtë botë sprove.

Ndodhet në mes të dy rrugëve, njëra që çon në lumturinë e përjetshme dhe tjetra në errësirën e pafund. Rruga e parë është e rrethuar me vështirësi që egoja e njeriut nuk i pëlqen, ndërsa tjetra me lehtësira që egoja e njeriut i pëlqen dhe i dëshiron.

Por ndërgjegjja njeriut i thotë të zgjedhë atë rrugë në të cilën ndodhet një dritë e pafund, në rrugën ku ndodhet drita e besimit. Sepse me të vërtetë besimi është dritë; besimi është mirësia më e madhe që Allahu i ka dhuruar njeriut.

Një dritë aq e madhe sa e ndriçon jetën e njeriut në këtë botë, dhe bëhet shpëtimtare për njeriun në ditën kur më shumë se gjithçka ka nevojë për një ndërmjetësues.

Një njeri që nuk beson e sheh të shkuarën si diçka të humbur dhe të ardhmen si të panjohur dhe të frikshme. Ndërsa njeriu që beson, e sheh këtë botë si një hije peme ku ka për të qëndruar për disa çaste për të vazhduar rrugëtimin për aty ku është nisur.

Njeriu me besim e sheh këtë botë si një urë ku nuk mund të ndërtojë dot shtëpi, por duhet të kalojë prej saj, për të arritur në vendin ku dëshiron të shkojë. Për të nuk ekziston asgjë pa kuptim sepse e di që në çdo gjë që ndodh e ka një urtësi.

Nuk kapet e rri pas shkaqeve sepse ai beson në Krijuesin e Plotfuqishëm; nuk ankohet pas ngjarjeve që ndodhin sepse beson kaderin; nuk ka frikë nga vdekja sepse i beson Ahiretit.

Prandaj besimi për të bëhet dritë, e cila ndriçon çdo pjesë të jetës. Besimi për të është si një yll që ndriçon jetën e kësaj botë dhe si dielli që ndriçon jetën e Ahiretit.

Besimi e bën njeriun njeri, sepse e mëson të sillet në mënyrë njerëzore, sepse një njeri që njeh bukuritë e besimit nuk mund të bëjë as sa një grimcë atomi keq me vullnetin e tij.

Prandaj besimi ashtu si bëhet dritë që e ndriçon atë në jetë, bëhet dritë edhe për të tjerët të cilët ndodhen përreth tij. Por në të njëjtën kohë për njeriun besimi është edhe forcë.

Në zemrën e një jobesimtari gjithnjë ndodhet ndjenja e frikës ndaj gjithçkaje të cikën ai nuk e njeh, ndodhet frika për të ardhmen, frika se mos edhe ato gjëra të cilat i posedon do t’i ikin nga duart.

Ndërsa në zemrën e një njeriu me besim nuk ka frikë tjetër veç frikës ndaj Krijuesit të Botëve. Besimtari e di se çdo gjë që ka, i është dhënë nga Zoti i Botëve, dhe vetëm prej tij i pret favoret dhe mirësitë.

Asnjë ngjarje nuk e tremb atë, asnjë ndodhi nuk e frikëson dhe me forcën që i jep atij besimi mund të përballojë çdo vështirësi e sfidë që has në jetë.

Një jetë e kaluar me besim dhe në lidhje të vazhdueshme me Zotin është burim kënaqësie e qetësie.

Pin It