Gjatë komunikimit javor mbrëmjen e së dielës kryeministri Edi Rama bëri publik programin kombëtar për investimin e 1 miliard dollarëve në ekonomi. Ai deklaroi se reformat ekonomike kanë qenë të suksesshme dhe se ekonomia u rrit me 3.4%. Rama përmendi edhe rritjen e pagave pa rritur borxhin publik, ndërsa ky i fundit ka filluar rënien.
“Rritje taksash nuk ka dhe nuk do të këtë. Kush fiton më pak, do të vazhdojë të paguaje më pak, kush fiton më shumë, do të vazhdojë të paguajë më shumë. Ndërkohë, konsumi, një element themelor për të parë shëndetin e ekonomisë, është rritur në shifra që tre vite më parë as nuk mund të mendoheshin. Sot jemi në kushte të reja ku jo vetëm vendi ka marrë kthesën nga buza e humnerës ku gjendej në vitinn 2013, por mund të synojmë për shumë më tëpër akoma, sepse kemi ende rezerva të mëdha të pashfrytëzuara në çdo aspekt e në çdo sektor dhe reformat po na japin vetëm rezultatet e para, të cilat pa asnjë dyshim do të shtohen e konsolidohen”, – u shpreh Rama.
Megjithatë kryeministri deklaroi se ky përmirësim ekonomik është i pamjaftueshëm për të kënaqur familjet shqiptare dhe se do të punohet që të rritet ekonomia familjare e gjithsecilit. Rama tha se programi për 1 milard dollarë do të bëjë që rritja e ekonomisë kombëtare të ndjehet shumë më tepër në ekonominë familjare.
“As fakti se ekonomia e Shqipërisë rritet më shumë se të gjitha ekonomite e rajonit nuk mund të mjaftoje. Prandaj, paralelisht me luftën kundër informalitetit që gjatë këtij viti do të thellohet, ne do të nisim së shpejti programin kombëtar 1 miliard dollarë për rindërtim. Falë këtij program të ri dhe investimeve të drejtëpërdrejta nga buxheti i shtetit, ne do të fusim në rrugën e rilindjes së vendit një volum kapitalesh private për të rindërtuar më shpejt infrastrukturën rrugore, arsimore dhe shëndetësore”, – tha Rama.