Terminali i ri i linjave ndërkombëtare

terminal

Terminali i ri i autobusëve të linjave ndërkombëtare do të jetë në sheshin pas pallatit të sportit “Asllan Rusi”. Investimi krijon dy hapësira për parkingje, një terminal për autobusët e linjave me jashtë dhe një parking ditor për qytetarët.

Sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ky terminal do i shërbejë lehtësimit të trafikut në kryeqytet.

“10 minutat e para janë pa pagesë, për t’u siguruar që nëse terminali i autobusëve përdoret për të lënë familjarët apo për të marrë dikë tjetër, të mos jetë nevoja të paguash. Por, gjatë ditës është me pagesë, për t’u siguruar që të mos ndodhë si më parë, kur dikush parkonte 16 orë radhazi”, tha Veliaj.

Në këtë terminal do të organizohen të gjitha linjat dhe kompanitë që kryejnë transport udhëtarësh kryesisht në vendet fqinje, duke i dhënë fund orvatjeve të deritanishme të këtyre mjeteve dhe udhëtarëve nëpër rrugët e Tiranës.

“Kemi organizuar një terminal për të 36 linjat me destinacion Kosovën, Greqinë, Maqedoninë, Italinë apo vende. Shërbimi bëhet në një kabinë, ku merret një biletë dhe ku secili mund të shikojë oraret e afishuara. Kjo është një mënyrë shumë më dinjitoze se sa shpërndarja e autobusëve në të gjithë kryeqytetin. Praktikisht, kemi hequr 100 autobusë nga rrugët e Tiranës, që bllokonin trafikun”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Gjithashtu, ai tha se shumë shpejt do të sistemohen në një terminal të posaçëm të gjitha mjetet e transportit të udhëtarëve të linjave të jug­lindjes, duke shfrytëzuar një nga hapësirat e liruara kohët e fundit.

Bashkia u bën thirrje të gjitha shoqërive të transportit që operojnë në Tiranë sipas linjave dhe destinacioneve të tyre, që të pozicionohen në këtë terminal që do të ndikojë në përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve, por në të njëjtën kohë do të lehtësojë edhe zhvillimin e aktivitetit të atyre që operojnë në fushën e transportit.

Pin It