Tiranë , Hapet tregu i ri i fruta-perimeve në njësinë nr. 2

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Një tjetër treg me standarde e kushte më të mira higjenike i shtohet kryeqytetit, duke rritur sigurinë ushqimore për qytetarët e Tiranës, por njëkohësisht zgjidh edhe problemin e zënies së hapësirave publike.

Kryetari i Bashkisë se Tiranes, Erion Veliaj inspektoi tregun e ri të fruta-perimeve që ndodhet në Njësinë Nr. 2, ku vlerësoi faktin se falë këtij investimi përfitojnë 52 familje, të cilat deri dje tregtonin në rrugë, kurse sot kanë mundësi të shesin produktet e tyre në një treg të posaçëm.

“Sot kemi ofruar një mundësi për 52 fermerë që të lënë rrugën, të lënë trotuarin, që familjet të mund t’i aksesojnë shtëpitë e tyre lirshëm, që mund të ecin në trotuar me karrocë lirshëm, por ama pa u hequr mundësinë që të bëhet biznes i pastër nga të gjithë ata tregtarë, fermerë të zonës së Tiranës. Unë i di të gjithë ata njerëz, që në pamundësi për të bërë ndonjë punë konkrete, vënë gishtin dhe vetëm tregojnë. Por nuk zgjidhen punët e qytetit me histeri, zgjidhen duke u dhënë njerëzve një mundësi”, tha Veliaj.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të konsumojnë produkte të zonës duke kontribuar edhe në ekonominë e shumë familjeve.

“Ftoj qytetarët të blejnë produkte vendi, ndihmoni ekonominë e vendit, ndihmoni fshatarët e zonës së Tiranës! Duke i lënë lekët brenda ekonomisë dhe jo për eksport, sigurohemi që edhe vetë marrim produkte cilësore, sigurohemi gjithashtu që gjithë tregtarët e zonës së Tiranës të kenë të ardhura, të jetojnë me punë të ndershme”, tha kryebashkiaku. Veliaj u kërkoi qytetarëve që të mos bien pre e tregtarëve të cilët abuzojnë me çmimet për festat e fundvitit.

“Ky treg dhe të gjitha tregjet e Tiranës do jenë të hapura çdo ditë, edhe në datë 31, edhe në datë 1 e 2. Ndonjëherë, kur qytetarët duan të blejnë mall pa fund, me idenë që t’i gjejë Viti i Ri plot, atëherë edhe tregtarët spekulojnë e rrisin çmimet. Ndaj, do u thosha qytetarëve: Blini produkte vendase, por blini aq sa ju duhet! Më datë 1 përsëri do ketë ushqime, edhe në datë 2. Nga nevoja për konsum të madh, a thua se s’do hapen dyqanet, edhe tregtarët fillojnë e spekulojnë. Ndaj që të mos kemi spekulime, blini aq sa ju duhet dhe blini mall vendi”, tha Veliaj.

Administratori i Njësisë Administrative Nr. 2, Elez Gjoza, u shpreh se ndërtimi i këtij tregu ishte një kërkesë prej gjashtë vitesh, ndërsa theksoi se tashmë hapësirat publike u janë kthyer qytetarëve.

“Jam shumë i lumtur sot që inaugurohet ky treg ku është bërë një punë e jashtëzakonshme. Ky treg është kërkuar nga njësia bashkiake dhe administratori prej 6 vitesh, por më së fundi ia arritëm ditës, vërtet të bëjmë një mrekulli. Më së fundi, hapësirat publike u janë kthyer qytetarëve. Tashmë kemi një treg modern, europian ku vetë qytetarët e kësaj njësie do vijnë të blejnë dhe këta njerëz që janë 50 familje që shesin, biznes i vogël që do mbajnë familjet e tyre, do të shesin tashmë jo në rrugë, në pluhur e në ambiente kur nuk blihej, por do të shesin në mënyrë shumë të kulturuar”, tha Elez Gjoza.

Pin It