Ministria e Kulturës, 1 mld lekë për restaurimin e TKOB

tk-2

Ministria e Kulturës ka miratuar një fond me vlerë 1 miliard lekë për restaurimin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Projekti synon përmirësimin e infrastrukturës së brendshme të TKOB, duke e bërë atë më funksional, por edhe duke ruajtur vlerat arkitekturore ekzistente.

Sipas dokumenteve projekti ka marrë parasysh statusin e ndërtesës si “Monument kulture i kategorisë së II”, prandaj edhe do të ruajë fasadën origjinale, formën dhe anën vizuale të objektit. Ndryshimet do të kenë të bëjnë kryesisht me zëvendësimin e materialeve teknike si zëvendësim i dritareve ekzistuese me dritare të reja akustike/ termike dhe ndërrimi i pllakave dhe kangjellave me të reja, por të njëjta në ngjyrë dhe formë me origjinalet.

Pas restaurimit TKOB planifikohet të ketë më shumë hapësirë të brendshme, garderobë dhe bar për artistët, një dhomë VIP, hyrje elegante dhe një oborr të brendshëm të gjelbëruar dhe çlodhës. Kësisoj TKOB do t’u shërbejë artistëve dhe qytetarëve në mënyrë më të dobishme.

“Në këtë projekt jemi munduar të gjejmë një balancë midis elementeve që janë prezent në ditët e sotme: arkitekturën e vjetër, të shkuarën dhe materialet e veçanta që janë përdorur, midis ndryshimeve dhe transformimeve. Mund të themi që me konceptin dhe dizajnin e ri të përdorur Opera është kthyer në një objekt dinamik,”- thuhet në dokumente.

Projekti parashikon edhe pastrimin e fasadës me qëllim arritjen e një pamjeje më të re, përmes përdorimit të materialeve jodëmtuese.

Pin It