Washington Post: Erdogan po organizon grushtin e tij politik, por nuk mund të detyrojë SHBA të bëhet bashkëfajtore

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan, po i kundërpërgjigjet grushtit të shtetit të dështuar të ushtarakëve me një grusht shteti politik të organizuar nga vetë ai. Që nga fundjava e kaluar, dhjetëra mijëra turq janë arrestuar ose pushuar nga puna: jo vetëm oficerët dhe ushtarakët e përfshirë në kryengritje, por edhe mësues, akademikë dhe profesorë të universiteteve, gjyqtarë dhe mijëra nëpunës civilë. Është shpallur gjendja e jashtëzakonshme; qindra shkolla janë mbyllur; kredencialet e dhjetra gazetarëve janë shpallur të pavlefshme. Sipas mbikëqyrësve turq të spastrimeve, objektivi përfshin jo vetëm vetëm mbështetësit e liderit mysliman në mërgim, të cilin Erdogan e fajëson për organizimin e grushtit të shtetit, por çdokush i dyshuar si kundërshtar dhe jo mbështetës i qeverisë së tij, përfshirë dhe pjesëtarët e grupeve minoritare dhe liberalët laikë.

Erdogan, i cili e cilësoi grushtin e dështuar një “dhuratë nga Zoti”, po punon jo vetëm për të konsoliduar akoma më shumë atë që tashmë është shndërruar në një regjim totalitar. Ai gjithashtu po përpiqet të detyrojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin e Turqisë në NATO, që të ndihmojë në shtypjen e tij – veçanërisht duke dorëzuar të dyshuarin si organizator të grushtit të shtetit, klerikun me bazë në Pensilvani, Fethullah Gylen. Administrata Obama po reziston me të drejtë – dhe ajo duhet të vazhdojë të mbajë të njëjtin qëndrim, edhe nëse kjo do të çonte në një prishje të bashkëpunimit me Turqinë në luftën kundër Shtetit Islamik.

Gylen drejton një lëvizje paqësore, edhe pse të fshehtë, një lëvizje islamike që vepron përmes shkollave në Turqi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumë vende të tjera të botës. Për vite me rradhë, ndjekësit e tij në policinë dhe gjyqësorin turk ishin aleatë me partinë e Erdoganit – ironikisht të dyja palët kanë bashkëpunuar për pastrimin e ushtrisë turke nga zyrtarët e dyshuar për komplot  dhe grusht shteti. Por dy liderët u ndanë në fund të vitit 2013, kur qeveria mbylli disa prej shkollave të gylenistëve dhe disa prokurorë, të dyshuar si simpatizantë gylenistë, publikuan disa skandale të mëdha të korrupsionit në qeveri.

Që pas kësaj Erdogani ka ndërmarrë një sërë spastrimesh nga rradhët e policisë, gjyqësorit dhe medias për të eleminuar ndjekësit e Gylenit dhe nuk është aspak e habitshme që fajësoi pikërisht atë për organizimin e grushtit të shtetit. Ajo që ai nuk ofron janë pikërsht faktet se si një 75-vjeçar, që jeton i mbyllur në një kompleks të largët në Poconos, në një farë mënyre organizoi një kryengritje ushtarake në të gjithë Turqinë. Ministri i Jashtëm i Erdogan, z. Mevlut Çavusoglu, tha të martën se është nevoja për prova. “Ata duhet ta kuptojnë, nuk kanë nevojë për ndonjë provë”, tha zoti Çavusoglu për administratën Obama.

Në fakt, ata kanë nevojë për prova. Edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë një marrëveshje ekstradimi me Turqinë, Gylen nuk mund të arrestohet ose të kthehet në vendin e tij derisa Turqia të bindë Departamentin e Drejtësisë dhe gjykatat federale, që ai mund të ketë kryer ndonjë krim. (Për dijeni, zoti Gylen ka mohuar çdo përfshirje në grushtin e shtetit). Me fjalë të tjera, ai nuk mund të trajtohet si kundërshtarët e tjerë të Erdoganit në Turqi dhe “të flaket” tutje pa një proces të rregullt ligjor.

Presidenti Obama me sa duket u përpoq t’ia shpjegojë këtë z. Erdogan gjatë një bisede telefonike të martën. Sipas zëdhënësit Josh Earnest, zoti Obama tha se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i mbështesin individët që komplotuan për të përmbysur qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike”, por gjithashtu ai tha se “Shtetet e Bashkuara ndjekin rrugën e sundimit të ligjit”. Nuk do të jetë e çuditshme nëse Erdogan nuk do ta pranojë këtë përgjigje, ose nëse ai do të përpiqet të përdorë si mjet presioni marrëdhëniet ushtarake të Turqisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – përfshirë edhe përdorimin nga SHBA-të të bazës ajrore të Incirlik për bombardimin e bazave të Shtetit Islamik. Kështu që Erdogan duhet të kuptojë, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të detyrohen të bëhen bashkëfajtorë në konsolidimin e diktaturës së tij.

Pin It