Zbulesa hyjnore në malin Hira

Në moshën 40-të vjeçare  ditën e hënë më 17 Ramazan kur Profeti (a.s.) ishte në shpellën Hira iu shfaq engjëlli Xhibril, i cili i tha:

-“Lexo!”

-“Unë nuk di të lexoj”– tha ai.

Xhibrili e shtrëngoi dhe i tha përsëri:

-“Lexo!”

-“Unë nuk di të lexoj” – u përgjigj ai. (tre herë).

Pastaj zbritën pesë ajetetet e para të sures Alak: Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me penë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” [Surja Alak, 1-5] Pas kësaj ndodhie, menjëherë Profeti (a.s.) i frikësuar shkoi tek Hatixhja e cila e qetësoi me fjalët: “Allahu kurrë nuk ka për të të lënë që të humbësh, sepse ti i ruan lidhjet farefisnore, thua gjithmonë të vërtetën, e ndihmon nevojtarin, e nderon mikun dhe e përkrah të drejtën.”

Në ditët që do të pasonin, zbritja e mesazhit hyjnor do të ndërpritej për një periudhë kohore, saqë Profetin (a.s.) e mori malli për zbritjen e mesazhit hyjnor. Më pas, atij do ti shfaqej Xhibrili në formën e tij origjinale duke i treguar se ai me të vërtetë është i Dërguari i Allahut. Profeti (a.s.) u friksua dhe shkoi tek Hatixhja duke i thënë: “Më mbuloni! Më mbuloni!”

Më pas, Allahu i Lartësuar do të zbriste ajetet: “O ti i mbuluar! Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen (duke i thirrur). Dhe madhëroje Zotin tënd! Dhe rrobat tua pastroi!” [Surja Mudethir, 1-4]  Në këto ajete kuranore, Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin (a.s.) që t’ua tërheqë vërejten dhe ta ftojë popullin e tij që të besojë tek Allahu. Pas këtij urdhri, Profeti (a.s.) i përveshi mëngët duke i ftuar njerëzit për tek Allahu, të mëdhenjtë dhe të vegjlit, njerëzit e lirë dhe skllevërit, burrat dhe gratë, të ziun dhe të bardhin. Ftesës së tyre iu përgjigjën disa njerëz të cilët e përqafuan fenë Islame, ndërsa shumë të tjerë e mohuan, madje edhe e lënduan me fjalë dhe fizikisht. Mirëpo Allahu i Lartësuar e ruajti të Dërguarin e Tij nëpërmjet xhaxhait të tij Ebu Talibit.

 

Pin It