Zgjedhjet në Gjermani, Merkel fiton mandatin e katërt

Kancelarja gjermane Angela Merkel është rizgjedhur për të marrë drejtimin e vendit për herë të katërt. Konservatorët e kancelares Angela Merkel kanë siguruar një mandat të katërt radhazi në pushtet në zgjedhjet që sollën një parti të së djathtës ekstreme për të parën herë në parlament në më shumë se gjysmë shekulli.

Merkel, fitoi me 33.% të votave, ndërsa vendin e dytë e mbajtën socialdemokratët e Schulz, SPD me 20.5%. Rezultat historik kanë shënuar AfD e ekstremit të djathtë me 12.6%, forcë e tretë politike, duke marrë 94 vende në Bundestagun gjerman.

Duke folur para mbështetësve të saj në Berlin, Merkel tha se kishte shpresuar për një rezultat më të mirë, por shtoi se partia e saj konservatore do t’ia dalë të realizojë premtimet e bëra gjatë fushatës.

“Sigurisht përballemi me një test të madh, AfD që hyn në parlament. Do të bëjmë një analizë të thellë, sepse duam të rifitojmë zgjedhësit e AFD duke zgjidhur problemet dhe duke dëgjuar shqetësimet e tyre, ndonjëherë edhe frikën e tyre”, u shpreh Merkel.

Lideri i socialdemokratëve, kandidat për postin e kancelarit, Martin Schulz, tha ndërkohë në Berlin se kjo ishte një ditë e hidhur për partinë e tij.  Rezultati prej 20 për qindësh, është më i ulëti që pas luftës dhe do t’i çojë socialdemokratët në opozitë.

Pin It