Zgjedhjet në Kosovë/ Nis sot fushata në 38 komuna

Në Kosovë nisi sot fushata e zgjedhjeve lokale që do mbahen pas një muaji, në 22 tetor, në 38 komuna për kryetarët dhe kuvendet e tyre. Garojnë gjithsej 91 subjekte politike, prej tyre 35 parti, 30 iniciativa qytetare, 25 kandidatë të pavarur dhe 1 koalicion.

Kosova ka 38 komuna, 27 janë me shumicë shqiptare dhe më e madhja është e kryeqytetit, Prishtinës.

Ndërsa, 10 komuna, kryesisht nga më të voglat, janë me shumicë serbe, 5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit specialtë OKB-së.

Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjerimin e saj.

Një komunë, Mamusha, është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet e tjera në Kosovë.

Zgjedhjet lokale të 22 tetorit mbahen në afat të rregullt, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013, ndërsa në këtë vit në Kosovë kishte edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në 11 qershor, 3 vjet pas atyre të 8 qershorit 2014.

Zgjedhjet lokale të 22 tetorit në Kosovë do kenë një numër të madh monitoruesish, 100 prej të cilëve të Misionit të Bashkimit Evropian. Koalicioni Demokracia në Veprim në fillimin e fushatës së zgjedhjeve lokale ka mobilizuar 61 vëzhgues afatgjatë për të përcjellë nga afër aktivitetet në kuadër të fushatës 30 ditëshe, ndërsa për në ditën e zgjedhjeve, 22 tetor, ka rekrutuar mbi 2,500 vëzhgues të cilët do të jenë në të gjitha vendvotimet në Kosovë.

Në zgjedhjet lokale 2013, sipas rezultateve të shpallura nga KQZ i Kosovës, që në raundin e parë, në 3 nëntor, janë zgjedhur kryetarët në 13 komuna, ndërsa në 24 komuna kishte balotazh në 1 dhjetor, e në 16 nëntor në Mitrovicën Veriore kishte rivotim në tre qendra, ku incidentet e sulmeve kishin ndërprerë votimet.

Pin It