Zyra e Gruas pranë KMSH organizoi panairin në ndihmë të grave të dhunuara

Çelet panairi që i vjen në ndihmë grave të dhunuara.

Komuniteti Mysliman në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, kanë çelur një panair, të ardhurat e të cilit do të shkojnë për të mbështetur gratë viktima të dhunës. Fatma Karaj një prej organizatoreve të këtij panairi u shpreh se kjo ndihmë modeste do të shkojë për viktimat e dhunës.

“Ky panair fillimisht është organizuar nga Zyra e Gruas pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës. Nëpërmjet tij ne dëshirojmë që t’iu vijmë në ndihmë grave të duhura për t’iu plotësuar sadopak nevojat e tyre bazike. Ne nuk jemi as të parët as të fundit që organizojmë gjëra të tilla por ky është një kontribut shumë i nevojshëm për të përcjellë mesazhe shprese dhe bashkëpunimi”,- tha përgjegjësja e Zyrës së Gruas pranë KMSH, znj. Fatma Karaj.

Ndërsa nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Gazmend Aga, u shpreh se dhuna ndaj grave është e dënueshme në librin e shenjtë të Kuranit. “Është fatkeqësi që në shekullin 21 në vitin 2017, në Shqipëri por jo vetëm akoma vazhdon dhuna dhe diskriminimi ndaj gruas dhe ne si Komunitet Mysliman dhe si bashkësi fetare e shohim përgjegjësi të madhe jo vetëm mos diskriminimin e gruas por rritjen e ndërgjegjësimit të vlerësimit të saj, të dhënies më shumë rol në shoqëri të edukimit të brezave me dashurinë dhe respektin ndaj femrës, sepse në islam koha është ndarë në 2 pjesë: koha e injorancës dhe koha pas saj. Një nga karakteristikat më të mëdha të periudhës së injorancës sipas islamit është dhuna ndaj gruas”, tha Gazmend Aga nënkryetar i KMSH.

Në thirrjen për të mbrojtur gratë është shprehur edhe nënkryetarja e bashkisë së Tiranës Brunilda Paskali,  e cila theksoi se dhuna është e dënueshme dhe kur kjo dhunë ushtrohet ndaj nënës, gruas, motrës, vajzës, është edhe më e dënueshme. “Dhuna në familje është çështja jonë, është sfida jonë me të cilën ne duhet të përballemi me përgjegjësi dhe kurajë. Dhuna ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri është një dukuri masive fatkeqësisht, rastet e denoncimit në polici janë shtuar, sipas studimit më të fundit rreth 60% e grave shqiptare pohojnë se kanë pësuar dhunë të paktën një herë në jetën e tyre”, tha Brunilda Paskali Nënkryetare e Bashkisë Tiranë.

Panairi, në të cilin u shiten produkte ushqimore, ka për qëllim mbledhjen e të ardhurave të cilat do të shkojnë në ndihmë të grave viktima të dhunës.

Pin It