1 Maji, dita e punëtorëve: Shqipëria feston, bota proteston

Në shumë vende të botës 1 maji përkujtohet si dita e punëtorëve. Dita e Punës synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale dhe vështrimin ekonomik-social të punëtorëve.

Në Shqipëri dita e punëtorëve organizohet ndryshe nga vendet e botës. Shqiptarët festojnë në vend që të protestojnë.

Paradat dhe demonstratat gjatë festës së 1 Majit nisën në Amerikën e Veriut. Kjo pasi Revolucioni Industrial solli makineri të reja që punonin pareshtur dhe si pasojë pronarët e fabrikave kërkonin që punëtorët të punonin të paktën 16 orë në ditë, përveç të dielave.

Për të përmirësuar jetën e tyre një federatë punëtorësh e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë kërkoi që dita e punës të bëhej 8-orëshe, duke filluar nga 1 Maji i vitit 1886.

Pjesa më e madhe e punëdhënësve nuk ranë dakord dhe si pasojë në 1 Maj mijëra punëtorë hynë në grevë.

Njerëzit e parë që humbën jetën sepse përkrahën lëvizjen punëtore në Shtetet e Bashkuara, vdiqën në kryengritjen e Haymarket të Çikagos, Ilinois. Punëtorët në Angli, Francë, Holandë, Itali, Rusi dhe Spanjë u bashkuan me ta.

Në vitin 1889, në Paris u mbajt një kongres i partive socialiste të të gjithë botës, dhe e shpalli 1 Majin e vitit 1890 ditën ndërkombëtare të demonstratave në mbështetje të kërkesës për t’i pasur ditët e punës 8-orëshe. Që nga ky vit, në ditën e 1 Majit punëtorët ngriheshin për të kërkuar të drejtat për kushte më të mira pune.

 

Pin It