24 maj, Dita Evropiane e Parqeve

Ministria e Mjedisit, Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA), në kuadër të projektit “Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile (OMSHC) Shqiptare për promovimin e mbrojtjes së natyrës në Shqipëri”, organizon në qendrën e Parkut Kombëtar Valbonë, “Ditën Evropiane të Parqeve” në bashkëpunim me AdRZM Kukës, Shoqatën Kombëtare të Parqeve të Shqipërisë (ShKPSh) dhe nxënës të shkollës 9-Vjeçare Tropojë.

Dita Europiane e Parqeve u promovua për herë të parë në vitin 1999, me nismën e EUROPARC Federation, me qëllim rritjen e profilit të zonave të mbrojtura europiane dhe gjenerimin e mbështetjes publike për qëllimet dhe punët e tyre.

24 Maji përkujton krijimin e nëntë parqeve të para kombëtare europiane në Suedi në vitin 1909. Kjo ditë festohet në një sërë qytetesh të mëdha të Europës, ku parqet shërbejnë si “mushkëritë e qytetit” si pasojë e përqëndrimit të lartë të trafikut, të industrisë dhe zhurmës.

Parqet e Shqipërisë dhe nevoja që ato kanë për një menaxhim të qëndrueshëm, duhet të kenë një mbështetje më të madhe publike, kështu që ky aktivitet ndërgjegjesues i bashkohet nismës mbarë Evropiane, për edukimin e vlerave të biodiversitetit të brezit të ri.

/ATA/

 

Pin It