9 mln euro për teknologjinë dhe sterilizimin e sallave të operacionit

operating-room-anesthesia

Të gjitha spitalet e vendit do të kenë salla operacioni të pajisura me instrumente kirurgjikale të sterilizuara, të cilat do të përdoren vetëm një herë për të shmangur infeksionet spitalore.

Deri tani kjo gjë është zbatuar në sallat e kirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare.

Investimi ka vlerën e 9 milion eurove dhe synon të rrisë cilësinë e sallave të operacionit nga aspekti teknologjik dhe i pastërtisë për të reduktuar infeksionet.

Nga ana tjetër mjekët kirurgë kërkojnë edhe praktikimin e kirurgëve të rinj para se të kurojnë pacientët.

“Kirurgët të mos e mësojnë zanatin tek pacientët, por para se të jenë tek pacientët të jenë qendrën e simulimit klinik, ku ka kukulla që mund të punohet me pajisje të veçanta që kushtojnë, por përmirësojnë shumë formimin e kirurgut në të ardhmen dhe ulin shumë riskun për pacientët”, thotë kirurgu Arben Gjata, Rektor i Universitetit të Mjekësisë.

Profesor Gjata thekson se duhet që edhe kirurgët e spitaleve rajonale dhe bashkive të vijnë në QSUT në periudha 1-mujore apo tremujore për të rifreskuar dijet e tyre.

Pin It